Solemniteti i “Zojës Nunciatë” Pajtorja e Provincës Françeskane Shqiptare, këtë vit u kremtua ndryshe nga vitet e tjera, sepse brenda Solemnitetit të festës ishte dhe momenti i Kushtimit të Përjetshëm në “Urdhrin e Fretërve Minorë” të fra Anton Gilaj ku i është përgjigjur thirrjes së Zotit duke i thënë PO-në përfundimtare.
Këto dy momente brenda kremtimit kanë një pikë të përbashkët,Virgjëra Mari i thotë PO Hyjit duke lejuar që Shëlbuesi të vijë në botë nëpërmjet saj, ku për ne sot është modeli më nxitës, i përsosur, i pranimit të thirrjes së Hyjit. Ndërsa fra Antoni tha PO duke iu kushtuar plotësisht Hyjit, duke i qëndruar besnik për të gjithë jetën, nëpërmjet kushteve ungjillore: Varfërisë, Dëgjesës, Pastërtisë.
Më 24 mars 2025 bëri kushtet e përjetshme fra Anton Gilaj nga Shkodra. Mesha u kremtua në oren 11:00 në kishen e Shën Françeskut në Gjuhadol, ku është udhëhequr nga Provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj.
Bashkëkremtues ishte Delegati i Ministrit Gjeneral fra Ivan Sesar, Provinciali i Provincës së Salernos- Itali fra Antonio M. Ridolfi ku ishte i shoqëruar nga dy fretër të provinces së tij: fra Maurizio Pianta dhe fra Eliodoro Napi (ka qenë në noviciat me fra Antonin), Zëvendës provinciali njëkohësisht dhe mësues për fretërit me kushte të përkohshme fra Aurel Gjerkaj, Rektori i kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj si dhe meshtarë të tjerë të dioqezës së Shkodrës, Kosovës dhe të Malit të Zi. Gëzimit të fretërve iu bashkuan edhe familjarë, miq e të afërm, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme.
Për mbarëvajtjen e këtij kremtimi eukaristik, dhanë ndihmën e tyre seminaristët e “Seminarit Ndërdioqezan Zoja e Kshillit të Mirë” të dioqezës së Shkodrës. Kori i kishës së Shën Françeskut së bashku me motrat dhe të rinjtë, me zërat e tyre të ngrohtë krijuan një atmosferë lutjeje edhe më të thellë shpirtërore.
Në fund të meshës fra Gazmendi Rektori i kishes, mbajti fjalim përshëndetës në emër të fra Antonit duke falënderuar dhe përshëndetur të gjithë të pranishmit, në veçanti familjarët dhe fretërit që kanë qenë pranë tij gjatë formimit. Kjo festë u mbyll me koktejin e organizuar në oborrin e kuvendit të Shën Françeskut.
Fra Sergjo Jaku