Kisha katolike në Shqipëri gjatë pandemisë

Me datën 17 nëntor 2019 regjistrohet në Provincën e Hubei-t në Kinë personi i parë i infektuar me të ashtuquajturin Coronavirus (i cili më vonë do të merrte emrin Covid-19), që brenda pak muajve do të shndërrohej në një pandemi. Gjatë muajit dhjetor të po këtij viti filluan të shfaqeshin vazhdimisht raste të reja të infektuara nga ky virus, veçanërisht në Kinë. Virusi ishte në fazat e para të përhapjes së tij dhe përcaktimi i masave të duhura për t’u mbrojtur nga ai ishte një gjë e vështirë, për shkak të vetë paqartësisë së situatës. Fillimi i vitit 2020 i gjeti njerëzit jo shumë të shqetësuar mbi përhapjen e këtij virusi, ndonëse numri i të infektuarve rritej vazhdimisht. Sapo u pa që situata po rëndohej, filluan të merreshin disa masa për të parandaluar përhapjen e virusit, ku ndër të tjera ishin: mbyllja e kufijve, vendosja e karantinës, ndalimi i qarkullimit mes qyteteve etj. Në gjysmën e dytë të muajit janar virusi shtriu përhapjen e tij në shumë vende të zhvilluara si në Itali, Britani e Madhe, Gjermani, Spanjë, Kanada e të tjera në vijim. Sidoqoftë kontinenti aziatik njihej si ai më i godituri. Shpejtësia me të cilën virusi vazhdonte të përhapej ishte shumë e madhe, derisa arriti të përfshinte pjesën më të madhe të botës duke kaluar kështu zyrtarisht në nivelin e pandemisë. Në muajt në vijim numri i të vdekurve dhe i të infektuarve ishte relativisht i lartë dhe tashmë për pjesën më të madhe të vendeve hapi më i rëndësishëm ishte karantinimi dhe ndalimi i qarkullimit. 

Ndërkohë që shumë vende ishin të prekura nga virusi, vendi ynë akoma nuk kishte shënuar asnjë të infektuar. Kjo gjendje vazhdoi deri me datën 8 mars kur u konfirmuan dy rastet e para me Covid-19. Të infektuarit ishin babë e bir, të cilët sapo ishin kthyer nga një udhëtim në Itali. Numri i të prekurve nga virusi u rrit dalëngadalë sidomos në rajonin perëndimor të Shqipërisë, duke qenë se ky i fundit është edhe më i populluari ndër rajone. Vendi ynë reagoi mjaft shpejt në marrjen e masave të duhura për të parandaluar përhapjen e virusit. Shpejt u ndaluan fluturimet, grumbullimet e njerëzve, aktivitetet e ndryshme, u mbyllën shkollat etj. Më 10 mars filloi pak nga pak izolimi i përgjithshëm në Shqipëri. Ai filloi me ndalimin e qarkullimit dhe karantinimin e vendit, masa të cilat ishin të ngjashme me ato të shteteve të tjera. Të gjitha daljet duhet të ishin me leje, me numër të kufizuar personash dhe sipas një limiti kohe. 

Përhapja e këtij virusi solli disa ndryshime edhe në jetën e Kishës. Në pjesën më të madhe të vendeve Kisha kishte filluar një kohë lutjeje, pendese dhe lëmoshe, që përkon me kohën e Kreshmëve. Dhe sigurisht dalëngadalë Kisha po mendonte mënyrën e festimit të Triditëshit të Pashkëve. Por duke parë ecurinë dhe avancimin e virusit në shumë vende të botës, pak nga pak u kuptua që do të ishte e pamundur të kremtoheshin Pashkët si vitet e tjera. Por problemi ishte më kompleks, pasi nuk ishte vetëm çështja e kremtimit të Triditëshit të Pashkëve, por krejt kremtimi i meshëve dhe vazhdimësia e të gjitha aktiviteteve dhe veprimtarive të Kishës. 

Udhëzimet e para të dhëna nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ishin ato të datës 29 shkurt. Në këto udhëzime nuk ndaloheshin kremtimet me popull, por thjesht ndërmerreshin disa hapa për të mirën e besimtarëve. Pra, fillimisht u hoq uji i bekuar nga hyrjet e kishave, u hoq momenti i dhënies së paqes gjatë meshës, dhe u këshillua që kungimi të merrej në dorë. Pas shfaqjes së rasteve të para në Shqipëri (më 8 mars), Konferenca nxori një dekret, më 12 mars 2020, me anë të cilit ndalonte çdo kremtim liturgjik me popull. Por gjithashtu u dhanë disa këshilla në lidhje me dhënien e sakramenteve dhe organizimin e aktiviteteve të tjera kishtare.

Menjëherë pas këtij dekreti ka qenë Selia e Shenjtë ajo e cila ka nxjerrë disa dekrete dhe letra me anë të instituteve të saj (Kongregata për kultin Hyjnor dhe për disiplinën e sakramenteve, Penitencieria Apostolike dhe Kongregata e Instituteve të Jetës së Kushtuar dhe e Shoqërive të Jetës Apostolike), për t’i ardhur në ndihmë Kishës në mbarë botën. Letrat dhe dekretet përmbanin:

- mesazhe nxitëse drejtuar të gjithë rregulltarëve e rregulltareve në botë;

- udhëzime mbi kremtimin e Triditëshit të Pashkëve;

- sqarime mbi sakramentin e rrëfimit dhe kategoritë që do të merrnin Ndjesët e veçanta.

 

Pasi nisi kjo periudhë izolimi, ato që erdhën në ndihmë ishin mjetet e teknologjisë. Filloi të jepet mesha online nëpër rrjetet e ndryshme sociale, në televizion, në radio etj. Të shumtë ishin meshtarët që kremtuan meshën drejtpërsëdrejti në rrjetet e tyre. Kështu besimtarëve iu dha mundësia të merrnin pjesë në mënyrë shpirtërore në profilet e shumta që transmetonin meshën online.

 

Në rrjete sociale u bënë nisma të shumta për të ushtruar disa vepra të përshpirtshme, ku një ndër to mund të përmendim rruzaren e shenjtë, të lutur çdo ditë në orën 21:00 nga ipeshkvijtë që shërbejnë në mes të shqiptarëve. Gjithashtu u dhanë mesazhe të ndryshme nga ana e klerit shqiptar mbi mënyra të organizimit të kohës gjatë izolimit nga Covid-19, por edhe urime të shumta me rastin e Pashkëve, që i kemi kaluar në praninë e të afërmve tanë. Nuk munguan as drama dhe shfaqje të ndryshme me karakter fetar, të cilat u shfaqën në rrjetet sociale. 

Triditëshi i Pashkëve është kremtuar në mënyrë të thjeshtë, sipas udhëzimeve të dhëna nga Selia e Shenjtë si dhe nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë. Ka qenë vetëm mesha e krizmës, e cila në pjesën më të madhe të vendeve është shtyrë për një datë tjetër, më të përshtatshme. Gjithashtu janë shtyrë pa afat edhe disa aktivitete dhe veprimtari kishtare, që lidhen me kryesisht me sakramentet (Kungimi i parë, Krezmimi), përgatitjet për Kurorën e martesës etj. Gjatë kësaj kohe ka qenë e mundur të bëheshin salikimet, por vetëm në mënyrën dhe formën e duhur, duke respektuar rregullat e përgjithshme lidhur me distancën, pastërtinë, numrin e pjesëmarrësve, vendosjen e maskave apo dorezave etj. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe për dhënien e Vajimit të shenjtë për ata që kanë qenë shumë të sëmurë.

 

Organizimi i Kishës përballë këtij virusi ka qenë pjesërisht i njëtrajtshëm, pasi secila dioqezë ka pasur karakteristikat e saj. Këtu flasim më së shumti mbi masat shtrënguese, të cilat në dioqeza dhe vende të ndryshme (Shkodër, Tiranë , Durrës etj.) dyndja e besimtarëve është më e madhe se në pjesë të tjera të vendit. Pra, ka pasur kisha të cilat kanë qenë të mbyllura totalisht deri në një njoftim të dytë, por ka pasur edhe prej atyre që kanë qenë të hapura me periudha të shkurtra kohore.

 

Shqipëria gjatë pandemisë ka qenë një vend i cili nuk ka pasur një numër të rënduar të infektuarish, duke përfshirë këtu edhe rregulltarët dhe rregullaret. Në jug të Shqipërisë ka vdekur një motër nga virusi dhe disa të tjera kanë qenë të infektuara. Gjithashtu në Amerikë ka vdekur babai i fra Vilson Bujajt, Nikë Bujaj, i cili pas një jete plot me gëzime, sakrifica e vështirësi ka ndërruar jetë në New York, më 18.04.2020.

Rikthimi i meshëve me popull dhe veprimtarive të tjera erdhi pas një periudhe jo të vogël izolimi. Qe dekreti i datës 19 maj 2020, i cili lejoi rifillimin e aktiviteteve fetare, të pezulluara në datën 12 mars 2020. Ky dekret erdhi nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, pas mbledhjes së bërë me datën 19 maj në Tiranë. Kështu filluan zyrtarisht meshët e para pas lehtësimit të situatës së krijuar nga pandemia. Sigurisht që janë marrë parasysh udhëzimet e shtetit dhe Kishës lidhur me distancën, kontaktin fizik etj. Janë marrë në konsideratë edhe mënyra alternative të kremtimit të meshës, ku një ndër to është kremtimi i meshës në ambientet e jashtme të kishave ose kapelave. Nga pamundësia e shumë besimtarëve për të shkuar në meshë, ka vazhduar transmetimi i meshëve online në rrjetet sociale. Gjithashtu dioqezat kanë kremtuar meshën e krizmës dhe festën e Rrëshajëve, duke i dhënë kështu fund kohës së Pashkëve për këtë vit liturgjik.

Kjo periudhë izolimi ka arritur të pezullojë përkohësisht ritmin e shpejtë, me të cilin bota gjithmonë ka ecur përgjatë shekujve dhe na ka hequr, ndonëse për pak kohë, mendimin që s’kemi kohë për shumë gjëra. Izolimi ka dhënë pakëz kohë për të reflektuar mbi jetën tonë, mbi gjërat më të rëndësishme që duhet t’u kushtojmë rëndësi dhe atyre që ndoshta nuk janë dhe aq të nevojshme dhe të rëndësishme. Së fundi gjatë kësaj kohe na është dhënë mundësia edhe të kalojmë pak më shumë kohë me ata që na rrethojnë dhe ta vlerësojmë më shumë praninë e tyre në jetën tonë, gjë që na kërkohet jo pak nga Shkrimi i Shenjtë. 

Ndonëse gjendja e pandemisë është në përmirësim e sipër, duhet të kemi parasysh se ajo nuk ka kaluar plotësisht, dhe siç shihet edhe numri i të infektuarve është i luhatshëm nga dita në ditë. Të gjithë duhet të tregohemi shumë të kujdeshëm gjatë aktiveteve e daljeve tona dhe të mundohemi të zbatojmë rregullat dhe udhëzimet që na jepen nga organet kompentente, qoftë ato civile ose kishtare. Në këtë mënyrë shpresojmë se do ta kalojmë të gjithë së bashku edhe këtë situatë. 

 

Përgatiti: Fra Lorenc Pepniku