Konferencë Shkencore

Provinca Françeskane Shqiptare si gjithmonë i kujton dhe u jep nderimin e duhur fretërve që dhanë kontribut të madh në këtë provincë e që lanë gjurmë të mëdha në historinë e popullit tonë. Konferenca shkencore e radhës u zhvillua për të kujtuar dy françeskanë të mëdhaj si Át Bernardin Palaj, O.F.M dhe Át Justin Rrota, O.F.M. Kjo Konferencë u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, konkretisht me Fakultetin e Shkencave Shoqërore, në ambientet e Kuvendit të Shën Françeskut, Gjuhadol - Shkodër. Me këtë aktivitet patëm mundësinë që të thellohemi më shumë në veprat e tyre, pasi studiues të ndryshëm na paraqitën kumtesat e tyre duke na mundësuar që të njihemi edhe më shumë me figurat e dy fretërve të mëdhaj.

 

Ky aktivitet filloi në orën 10:00 në ambientet e Teatrit “Illyricum”. Programi u hap nga Át Vitor Demaj, që mbajti fjalën hapëse dhe përshëndetëse për të gjithë të pranishmit. Fjalën pastaj për të përshëndetur e morën Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit, Át Pashko Gojçaj, Provinciali i Provincës Françeskane të Shqipërisë dhe të Malit të Zi si edhe Av. Sokol Dedndreaj. Pas fjalëve përshëndetëse në orën 10:30 ishte një moment pushimi ku qe organizuar një koktej.

 

Konferenca ka qenë e ndarë në tri seanca paralele, të cilat u zhvilluan në ambiente të ndryshme të Kuvendit. Ato filluan në orën 11:00.

Seanca I (Salla “Illyricum”). Seancën e drejtuan: Orjeta Baja dhe Evalda Paci. Kumtuesit ishin: Artan Haxhi - Erzen Koperaj: Justin Rrota personalitet i shquar i shkencës dhe i kulturës shqiptare. Evalda Paci: “Bota e maleve shqiptare” (një vështrim sintetik mbi tekstet e burime nga Át Bernardin Palaj). Alfred Çapaliku- Orjeta Baja: Át Bernardin Palaj mes fjalëve të shqipes dhe notave muzikore. Mimoza Priku: Lëvruesit e shqipes në vëmendjen e Át Justin Rrotës. Merita Hysa: Modeli gjuhësor dhe paradigma e variacionit sociolinguistik në veprën e J. Rrotës. Majlinda Bregasi: Universi idiomatik i Palajt në përkthimin italisht të Angela Cirrincione. Zamira Shkreli: Gjuha shqipe si pasqyrë e shpirtit kombëtar: Vizioni filozofik i Bernardin Palajt. Ermira Alija: Reflektime të sotme metafizike mbi poezinë e Át Bernardin Palajt. Aida Uruçi: Trajtimi i rasës rrjedhore në veprën “Rreth votrës” të Justin Rrotës. Rrezarta Murati: “Gjuha është e popullit”- parime të përgjithshme të Justin Rrotës për njësimin e gjuhës.

 

Seanca II (Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta”) seancën e drejtuan; Kujtim M. Shala dhe Aljula Jubani Kumtuesit ishin: Kujtim M. Shala: Silva rhetoricae (Letërsia sipas Justin Rrotës). Aljula Jubani: Tradita shkrimore dhe përdorimi i shenjave diakritike në shqipe. Nebi Bardhoshi: “Bota e Maleve Shqiptare”, Kanuni dhe Shteti: një vështrim mbi etnografinë e Át Bernardin Palajt. Át Vitor Demaj- Karmen Lazri: Át Justin Rrota, Kujtimet e njij të smundëti. Arben Prendi: Në gjurmët e dorëshkrimit të Ciklit të Kreshnikëve. Eranda (Halluni) Bilali: Át Justin Rrota: aspektet e figurës poliedrike të mësuesit e tekstologut. Edmond Malaj: Kontributi i Át Bernardin Palajt në fushën e historisë. Ledri Kurti: “Letratyra shqype” si vlerë dhe kontribut themel, në dijet e shkencës letrare dhe letërsisë shqipe nga Át Justin Rrota. Dritan Dragusha: Át Bernardin Palaj misionar i kulturës shqiptare.

 

Seanca III (Salla “At Gjergj Fishta”) seancën e drejtuan: Vehbi Miftari dhe Klodeta Dibra. Kumtuesit ishin: Vehbi Miftari: Kujtesa zakonore - fryma e përkatësisë të Át Bernardin Palajt. Gëzim Puka: I nemici del popolo- “Armiqtë e popullit” (1957), një dramë e Fadil Karakaçit për vitet e para të persekutimit komunist. Migena Salihi- Nertila Haxhia Ljarja: Át Bernardin Palaj: “Kreshniku legjendar dhe trashëgimia e tij kulturore”. Ermira Ymeraj- Klodeta Dibra: Struktura sintaksore, muzikaliteti i frazës dhe leksiku etno-kulturor në prozën e Át Bernardin Palajt. Ndue Ukaj: “Poezia e Át Bernardin Palajt”. Isida Hoxha: Publicistika e Át Bernardin Palajt në faqet e revistës “Hylli i Dritës”. Anisa Kosteri: Kërkime etnolinguistike nga Át Bernardin Palaj në kulturën e traditës shqiptare. Bora Logu: Dialogu mes gjuhëve: përqasje përkthimore e poezisë “Drita e françeskanit Át Bernardin Palaj. Marsel Nilaj: Historia e Shqipërisë e dalë nga pena e Át Bernardin Palaj.

 

            Të gjithë artikujt që janë të paraqitur në programin e kësaj Konference Shkencore do të jenë të botuara në një botim special që do të bëhet nga “Botimet Françeskane”, ku lexuesi i kujdesshëm do të ketë rastin t’i shfletojë dhe studiojë ato më me interes.

 

Si përfundim mund të themi se të gjitha këto kumtesa të studiuesve, na bënë që të reflektojmë më shumë mbi personalitetin shkencor të dy fretërve, mbi veprat, kontributet që Át Bernardini dhe Át Justini i dhanë vendit tonë. Kështu ne kemi arritur që të njohim më mirë këta dy fretër, karakteret, jetën dhe veprimtarinë e tyre ditunore. Në përfundim të kumtesave u dha një hapësirë 10 minuta për të bërë pyetje, për të shtuar diçka më shumë nga auditori. Ky aktivitet shumë i rëndësishëm përfundoi në orën 12:30.

 

 

Teksti: Fra Sergjo Jaku