Solemniteti i shën Françeskut

Përkujtimi i kalimit të shën Françeskut është një ndër përkujtimet më të rëndësishme për familjen françeskane! Kjo ngjarje ka ndodhur me datë 3 tetor 1226, ku  shën Françesku i Asizit kaloi nga kjo jetë në jetën e amshuar. Në kishën e shën Françeskut në Gjuhadol- Shkodër u kremtua solemnisht përkujtimi i kalimit të shën Françeskut, ku morën pjesë të gjitha bashkësitë e familjes françeskane nga dioqeza e Shkodrës. I pranishëm ishte Arqipeshkëvi i Arqidioqezës së Shkodër-Pultit Mons. Angelo Massafra OFM, dhe Kustodi Fra. Pashko Gojçaj. Këtë kremtim solemn e udhëhoqi Fra Gazmend Tinaj, guardian në Kuvendin e shën Françeskut, Gjuhadol.

 

Riti i kremtimit të Transitus, kulminon me lutjen e Mbrëmësores së parë të kalimit të shën Françeskut. Brenda këtij kremtimi ka disa momente të veçanta, si p.sh.: leximi i fjalëve të fundit të shën Françeskut si testament për fretër, ku përkujtohet kalimi i shën Fraçeskut nga kjo jetë në jetën e amshuar duke kënduar këngën “O Sanctissima Anima” (O shpirt shumë i shenjtë, ndërsa ngjitesh në qiell, të lumët të dalin përpara; Engjëjt gëzojnë së bashku, Trinia e Lavdishme të fton duke thënë: “Për amshim rri me ne!"), dhe më pas vijoi recitimi i psalmeve të mbrëmësores. Pas recitimit të psalmeve, në kishë lexohet një “Lexim nga Burimet Françeskane BF 508-512”; ky lexim shpall fjalët dhe veprat e fundit të shën Françeskut, dhe më pas pjesa e fundit vijoi normalisht si parashikohet në lutjen e mbrëmësores.

 

Ndërsa mesha solemne u kremtua ditën e premte me 4 tetor 2024, të cilën e udhëhoqi Arqipeshkvi i Shkodrës Mons. Angelo Massafra OFM; i pranishëm ishte Kustodi Fra Pashko Gojçaj, meshtarët, antaret e familjes françeskane të dioqezës së Shkodër-Pultit, motrat dhe besimtarë të shumtë; ishin të pranishëm edhe nga dioqeza e Tivarit - Mali i Zi. Këtë kremtim e zbukuruan me zërin e tyre brilant “Kori i kishës së shën Françeskut” ku me animimin e tyre të shkëlqyer e bën më të lehtë pjesëmarrjen shpirtërore në misterin e meshës së shenjtë!

Mons. Angelo gjatë homelisë, bëri një sintezë rreth jetës së shën Françeskut, ku ceku momentet kyçe që Shenjti kaloi gjatë jetës tokësore. Angelo më tej shtoi:

 

-       Shën Françesku kur pati vegimin ku Zoti i kërkoi që të shkojnë për të “Rindërtuar Kishën e Tij” Shenjti shkoi menjëherë të veprojë sepse ai e kishte kuptuar misionin që Zoti i kishte kërkuar. Shën Françesku nuk ndertoi Kishat vetëm nga ana estetike, por edhe nga ana shpirtërore. Të dashur vëllezër e motra edhe neve na kerkohet që të bëhemi gurë të gjallë të Kishes; ky është misioni që na kerkohet të gjithë neve si të krishterë!

 

Ipeshkvi në mbyllje të homelisë, i këshilloi vëllazërisht të gjithë meshtarët, fretërit, motrat dhe besimtarët e pranishëm duke thënë:

 

-       Të dashur vëllezar meshtarë dhe rregulltarë, të dashura motra dhe besimtarë të pranishëm, ju këshilloj që të imitoni shën Françeskun në dashurinë dhe zellin që pati ndaj Zotit, në këtë mënyrë mund t’i shërbeni Kishës me hare, dhe ju besimtarë të dashur mund të kuptoni më mire marrëdhënien tuaj familjare. Jini të thjeshtë, të përvuajtë dhe të dashur në jetën tuaj.

 

Mesha e shenjtë përfundoi me fjalimin falënderues të Fra Gazmend Tinaj, guardini dhe rektori i kishes së Shën Françeskut. Më së pari falenderoi dhe u shpreh mirënjohës ndaj Mons. Angelos për praninë dhe udhëheqjen e meshes së shenjtë. Fra Gazmendi ndër të tjera tha:

 

-       Mons. Angelo këtë vit ka patur shumë festa, fillimisht festoi 50 vjetorin e shugurimit të tij meshtarak; duhet të jemi mirënjohes për keto vite, dhe falenderues për shërbimin e tij si meshtar në Kishë. Pas viteve 1990 kur u hapën kishat në Shqipëri, pothuajse të gjithë meshtarët e dioqezës tone jemi shuguruar nga duart e Mons. Angelos, ku duhet të jemi shumë falënderues. Mirënjohje pa fund për punën e vyer që Monsinjori ka bërë për “Lumnimin e Martirëve tanë” sepse falë përkushtimit dhe punës të tij sot Shqipëria ka “38- Martirë të Lumë”!

 

Gjithashtu falenderoi për praninë e tyre në këtë kremtim të gjithë meshtarët, motrat, besimtarët dhe korin e kishes. Pas meshës së shenjtë, pati një moment vëllazëror, ku patëm mundësinë që të festojmë së bashku, duke marrë pjesë në koktejin që ishte organizuar nga bashkësia e fretërve të Gjuhadolit.

 

Teksti: Fra Sergjo Jaku