Gjatë formimit françeskan, ka të parashikuar etapa të ndryshme të formimit për kandidatin, ku arrihet të bëhet formimi i plotë që të drejton drejt meshtarisë. Këto etapa janë: postulandati, noviciati, kushtet e perkohshme kohe ku fillojnë studimet teologjike, dhe kushtet e përjetshme. Këto janë momentet e formimit që na i kerkon Urdhëri i Fretërve Minorë. Ndërsa pas kushtëve të përjetshme, kandidati kërkon nga Kisha që të marrë shërbesat e lektoratit dhe akolitatit, me këto shërbesa kandidati zyrtarisht mund të shërbejë në kishë si lektor shpallës i fjalës së Zotit dhe si akolit ku ndihmon në përgatitjen e altarit për liturgjinë eukaristike, për ndarjen e kungimit, dhe ka për detyrë që të dërgojë Kungimin e Shenjtë tek të sëmurët.
Prandaj, më datë 1 dhjetor 2024 në famullinë e “Zojës Rruzare” Arra e madhe, morën shërbesat e lektoratit dhe akolitatit 4 fretër, ata janë: Fra Sergjo Jaku dhe Fra Gjergj Deda që morën lektoratin, Fra Anton Gilaj, Fra Tomë Bushpreni që morën akolitatin. Shërbesat u morën gjatë meshës së orës 16:00 në famullinë e Arrës së Madhe, ku meshën e kremtoi Ipeshkëvi i dioqezës Shkodër- Pult Mons. Angjelo Massafra. Në këtë kremtim solemn të pranishëm ishin: Provinciali i Provincës “Zoja Nunciatë” Fra Pashko Gojçaj, Drejtori i Institutit filozofiko- teologjik “Zoja e Keshillit të Mirë” Dom Simo Luliq, Prof. Patër Michele Scioti O.P, fretërit e bashkësisë së Arrës së Madhe Guardiani dhe mësuesi i fretërve me kushte të përkohshme Fra Aurel Gjerkaj, famullitari i famullisë “Zoja Rruzare” Fra Jak Kolgjeraj, motra të kongregatave të ndryshme dhe besimtarët e famullisë.
Mons. Angjelo në predikimin e tij foli për rëndësinë e shërbesave brenda Kishës, ku kërkohet përkushtim i madh dhe ku duhet të kryhen keto shërbime me devotshmëri. Në fund Mons. Angjelo keshilloi kandidatë, duke thënë:
Të dashur fretër kandidatë të shërbesave të lektoratit e akolitatit, kryeni shërbesat me besnikëri, devotshmëri dhe lumturi. Në këtë mënyrë i shërbeni Zotit duke shpallur Fjalën e Tij dhe duke përgaditur liturgjinë eukaristike, ku bëni të mundur takimin mes Zotit dhe njeriut. Shembulli më i mirë për ju, për përkushtimin ndaj shërbimit ndaj Zotit janë Martirët Shqipëtar të cilët dhanë edhe jetën!
Teksti: Fra Sergjo Jaku