Çdo vit me datën 4 tetor mbarë familja françeskane, e përbërë nga Urdhri i fretërve, Urdhri i motrave të varfra dhe Urdhri i terciarëve kremton festën e themeluesit të tyre, shën Françeskut të Asizit, i cili me termat e rëndomtë bashkëkohorë do të quhej një influencer, kjo për shkak të ndikimit të madh revolucionar që ai ka pasur dhe që vazhdon të ketë në Kishë. Jeta e këtij shenjti është e mbushur me peripeci të ndryshme, të cilat me forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënies me të Tejetlartin, siç shpesh e quan Françesku, gjenin dritën e zgjidhjes. Sekreti i madhështisë së tij qëndronte në të jetuarit e Ungjillit sine glossa, të cilën e shpjegon Franciscan Media kur shkruan se:
“Shenjti pajtor i Italisë, Françesku i Asizit, ishte një njeri i vogël e i varfër që mahniti dhe frymëzoi Kishën duke e marrë Ungjillin fjalë për fjalë, jo në një kuptim të ngushtë fondamentalist, por duke ndjekur në të vërtetë gjithçka që tha dhe bëri Jezusi, me gëzim, pa kufi dhe pa ndjenjën e vetë-mburrjes”.
Në shumë vende të botës kremtimi i solemnitetit të tij shtrihet përgjatë dy ditëve, përkatësisht në datat 3 dhe 4 tetor, në të cilat kremtohet “Pashka” e shën Françeskut. Në Provincën Françeskane Shqiptare me datën 3 tetor 2023 është kremtuar kalimi në amshim i Atit Serafik shën Françeskut në kishën françeskane në Gjuhadol, pajtor i së cilës është vetë Françesku. Kremtimi, i cili ka konsistuar në dy pjesë kryesore është udhëhequr nga provinciali fra Pashko Gojçaj. Pjesa e parë është mbajtur tek kisha e Shën Françeskut; e dyta tek kisha e Shën Kjarës, ndërsa në mes të tyre ka zënë vend procesioni me truporen e shën Françeskut. Në pjesën e parë të gjithë fretërit, motrat e besimtarët i kanë thurur lavde Zotit, ashtu siç Françesku dëshironte, përmes lutjes së Mbrëmësores, e cila ka vijuar menjëherë pas leximit të letrës së frat Ilisë drejtuar të gjitha Provincave të Urdhrit, të cilat lajmërohen për vdekjen e shën Françeskut. Me të përfunduar edhe leximi nga Burimet françeskane, ka filluar procesioni drejt motrave klarise, të cilat në mënyrë simbolike kanë pritur truporen e shën Françeskut, ashtu siç shën Kjara me motrat e saja kanë pritur trupin e shën Françeskut menjëherë pas kalimit të tij në amshim. Procesioni është shoqëruar me këngë dhe antifona të përshpirtshme që janë kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit. Pasi është arritur tek kisha e Shën Kjarës dhe është kumtuar një lexim tjetër, po nga Burimet françeskane, provinciali ka mbajtur një meditim të shkurtër mbi shën Françeskun, të cilin e cilësonte si një “shenjt të çuditshëm”, për shkak të shumë risive që lidhen me figurën e tij, siç janë: të quajturit e vdekjes motër, mos-dashja e titujve dhe privilegjeve (p.sh. meshtar), butësia me të cilën zbuti egërsinë e botës si dhe marrja e varrëve të Krishtit. Transitus u përmbyll me bekimin solemn dhe shpërndarjen e bukës për të pranishmit.
Ndërsa, më 4 tetor 2023 u kremtuar mesha e shenjtë në nder të Atit Serafik në kishën e Shën Françeskut në Shkodër. Mesha e orës 18:00 u udhëhoq nga Nunci Apostolik imzot Luigi Bonazzi, me të cilin bashkëkremtoi provinciali fra Pashko Gojçaj, arqipeshkvi i Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra si dhe meshtarë të shumtë rregulltarë e dioqezanë. Në fillim të meshës fra Pashko uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe shprehi urimet më të përzemërta të gjithë familjes françeskane, ndërsa Nunci apostolik gjatë fjalës së tij, në të njëjtën linjë mendimi me fra Pashkun, theksoi dhe ftoi që të meditonim mbi butësinë dhe përvujtërinë e shën Françeskut, e cila rrjedh nga butësia dhe përvujtëria e Jezu Krishtit.
Me rastin e kësaj feste u shprehim urimet bashkëvëllezërve françeskanë: fra Fran Dushaj, fra Françesk Leknikaj dhe fra Fran Përlala, të cilët mbajnë emrin e Atit Serafik shën Françeskut. Në fund po bashkëndajmë edhe një poemë të kompozuar nga fra Pashko Gojçaj me rastin e 800-vjetorit të françeskanizmit.
Shën Franit
Vllaznit e vogjël e aq të mëdhej,
për 800 vjetë pa ndërpre,
ungjillzuen me adresë e pa adresë,
n' ndigjesë, pastri e vorfní,
ashtu si bâne Ti.
T'bijtë e tu të vorfën e aq të pasun,
kudo shkuen - u lidhen nye,
për vendin ku jetuen,
për njeriun të cilit i shërbyen,
ashtu si deshirove Ti.
Sa e sa prej tyne,
kamzdathun si apostuj,
zhgunçkyem deri në arnim,
të martirizuem deri në krygjë,
vdiqen tue falë.
Në takimin e kohëve
Krishtin e përqafuen në Kalvar,
prej të cilit gurron shëlbimi.
Shum prej tyne i ngriten n' elter
para t' cilve derdhen lutjet.
Trinejshi françeskan,
karizma e vetflijimit,
kudo nëpër botën mbar,
me pax et bonum,
hecë pa u ndalun.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku OFM
Fotot: Fra Gjon Shtjefni OFM.Kap