“Dishepull, bari dhe profet” janë disa nga elementet thelbësore, sipas papa Françeskut, të cilat duhet ta karakterizojnë vazhdimisht një presbiter. Këto cilësi nuk janë thjesht disa nocione abstrakte, por gjejnë një konkretizim të vërtetë në rrugëtimin drejt përngjasimit gjithnjë e më të madh me Krishtin. Të qenurit presbiter është një shërbim, i cili afron dhe përsos vazhdimisht personin në zgjedhjen e tij themelore; ndjekjen e Krishtit. Duke u nisur nga ky aspekt mund të thuhet se meshtari (presbiteri) quhet ai njeri i thirrur prej Zotit për t’i shërbyer Krishtit dhe Kishës përmes mbarështimit të sakramentit të Urdhrit të Shenjtë, i cili sipas KKK nr. 1536 është “sakramenti, falë të cilit misioni që Krishti u besoi Apostujve të Vet, vazhdon të ushtrohet në Kishë deri në mbarimin e kohëve”. Thirrja për meshtari është një përgjigje e vazhdueshme ndaj Hyjit për të jetuar në shenjtëri. Këtë gjë e shpjegon më së miri dokumenti nga Congregatio Pro Clericis, që duke folur rreth “Përshpirtërisë meshtarake sipas papa Françeskut” thotë:
“Thirrja meshtarake është një thirrje e përhershme nga ana e Hyjit, pikërisht si ajo që Jezusi ua ka drejtuar apostujve; fillimisht është momenti i Po-së së parë dhe të madhe, e cila shtyn për të ndjekur Jezusin në shërbesën e meshtarisë, por pastaj vjen nevoja e shumë po-ve të përditshme, përmes të cilave jemi të thirrur për të vazhduar ecjen. Po-ja lutjes personale dhe Liturgjisë së Orëve, po-ja kremtimit të meshës së shenjtë që të jetë e kuruar dhe përgatitur mirë, kurrë e banalizuar apo e reduktuar në një rit të thjeshtë, po-ja leximit të Fjalës së Zotit, që është Fjalë gjithmonë e gjallë dhe e re, po-ja sakramentit të Pajtimit, për t’ua mundësuar të tjerëve ose për ta marrë për vete... Lista do të mund të vazhdonte edhe më gjatë, pasi shumë momente dhe raste të jetës së përditshme e vendosin meshtarin para një thirrjeje të re të Zotit, të vogël apo të madhe.”
Pikërisht njërës prej po-ve më të mëdha i janë përgjigjur katër fretër të Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë”, të cilët kanë kurorëzuar rrugëtimin dhe ecjen e tyre me marrjen e shërbesës meshtarake. Bëhet fjalë për fra Jak Kolgjeraj nga Kosova, fra Kastriot Demaj nga Shqipëria, fra Kristjan Camaj nga Mali i Zi dhe fra Valentin Tinaj nga Shqipëria. Pas një përgatitjeje shumëvjeçare këta fretër kanë marrë Urdhrin e shenjtë të meshtarisë, finaliteti i të cilit është shërbimi. Më datën 07 dhjetor 2022 në kishën e Shën Françeskut është kremtuar njëkohësisht Vigjilja e festës së Pajtores së Urdhrit françeskan, Zojës së Papërlyer, dhe shugurimit presbiteral të fretërve të sipërpërmendur. Kjo Vigjilje është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, imzot Angelo Massafra, i cili në meditimin e tij ftoi fretërit dhe të gjithë të pranishmit të ndjekin shembullin e Marisë Virgjër, e cila me jetën e saj e ka treguar më së miri se si duhet të sillesh për të qenë nxënës apo nxënëse e Krishtit. Në hapësirën mes Mbrëmësores dhe Nëntëditëshes fretërit kanë bërë shpalljen e besimit para imzot Massafrës si dhe nënshkrimin e premtimeve të bëra para tij.
Të nesërmen, më 08 dhjetor, në Kishën katedrale të Shën Shtjefnit është kremtuar mesha solemne në nder të Zojës së Papërlyer, gjatë së cilës është bërë edhe shugurimi i katër fretërve françeskanë. Në fillim të meshës përshëndeti provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj duke uruar dhe falënderuar Imzot Massafrën, Delegatin e Ministrit Gjeneral fra Ivan Sesar, Vikarin e Përgjithshëm të Arqipeshkvisë së Tivarit dom Simo Luliq, Vikarin e Përgjithshëm të Shkodrës dom Nikolin Toma, Vikarin e Përgjithshëm të Sapës dom Robert Kola, të gjithë meshtarët e ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe jo vetëm, besimtarët, motrat, prindërit e familjarët e diakonëve, korin dhe edukatorët e fretërve për praninë dhe mbështetjen e tyre. Gjithashtu duke falënderuar Zotin për thirrjen e këtyre fretërve, ai theksoi edhe një herë situatën aktuale të thirrjeve sot, e cila paraqitet jo shumë e përshtatshme për arsye dhe shkaqe të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendet mënyra e të jetuarit dhe ulja e lindshmërisë. Fra Pashkoja përcolli edhe urimet e Nuncit apostolik për Shqipërinë imzot Luigji Bonazzi dhe Ministrit Gjeneral të fretërve fra Massimo Fusarelli-t. Por pjesa më e rëndësishme e përshëndetjes së ishin qortimet dhe këshillat e dhëna fretërve:
Fra Jak: “Di çka do dhe do çka di – Vazhdo!”
Fra Kastriot: “Mos harro se edhe emri të lidh me Fe e Atdhe!”
Fra Kristjan: “Shikimin gjithmonë përpara!”
Fra Valentin: “Nuk dyshoj se do t’i dyfishosh talentet me të cilat të ka bekuar Zoti!”
Pas përfundimit të përshëndetjes, mesha ka vazhduar si rregullisht. Riti për shugurimin e fretërve ka filluar pas predikimit të bërë nga imzot Massafra, i cili gjithashtu theksoi “krizën” e thirrjeve në periudhën bashkëkohore në të cilën po jetojmë. Çdo moment i ritit, ndonëse në dukje thjesht simbolik, përmban një domethënie të veçantë. Pas litanive të shenjtërve, lyerjes me vaj, lutjeve të posaçme, shtrirjes së duarve dhe qortimit të ipeshkvit katër fretërit kanë veshur edhe petkun e përshtatshëm për shërbesën meshtarake, duke përmbyllur kështu ritin e shugurimit presbiteral. Pastaj ka vijuar momenti i përqafimit dhe përshëndetjes me ipeshkvin, meshtarët dhe familjarët e meshtarëve të saposhuguruar. Në fund të meshës fra Valentini, në emër të të gjithë meshtarëve të rinj, ka falënderuar më së pari Trininë e Shenjtë si burim i të gjitha thirrjeve, si dhe të gjithë ata që kanë qenë të pranishëm në këtë kremtim eukaristik kaq të veçantë, i cili ka qenë vërtet një shenjë bashkimi e Kishës së Krishtit.
Pas përfundimit të meshës është organizuar dreka vëllazërore nga Provinca Françeskane Shqiptare, ku nuk kanë munguar as urimet, përshëndetjet dhe këngët nga të pranishmit.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku
Fotot: Fotostudio Nënshati