Jubileu i kushtimit rregulltar

Jeta e njeriut është e përshkuar gjithmonë nga tri momentet kryesore të elementit kohë: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Këto ndërthuren vazhdimisht me njëra-tjetrën, duke i dhënë kështu formë ekzistencës së personit. Në fenë hebraike, por sidomos në atë të krishterë, të kujtuarit (që lidhet me të shkuarën) është një element me shumë rëndësi, pasi ndikon në ngjarjet e së tashmes dhe të ardhmes. Të kujtuarit (anamnesis) nuk është shenjë e prapambetjes apo e nostalgjisë, por element aktualizimi, pasi niset nga ajo që ka ndodhur për t’i dhënë kuptim të pranishmes.

 

Pikërisht një “përkujtim” të tillë kanë bërë disa nga motrat klarise të Manastirit të Shën Kjarës në Shkodër. Abatesha Sonia Giustizieri ka përkujtuar 25-vjetorin e kushtimit të përjetshëm rregulltar, ndërsa motra Ganxhe Jaku dhe motër Patrizia Maggi kanë përkujtuar 25-vjetorin e kushtimit të përkohshëm rregulltar te motrat e varfra të shën Kjarës. Përkujtimin e kushtimit të tyre e kanë bërë gjatë meshës së kremtuar në kishën e Shën Kjarës më 31 tetor 2022. Para meshës është lutur Mbrëmësorja e Parë e të kremtes së të gjithë shenjtërve, duke iu porositur kështu lutjes së tyre për qëndrimin e fortë në fe të motrave klarise.

 

Menjëherë pas Mbrëmësores së udhëhequr nga fra Gazmend Tinaj, u kremtua mesha e shenjtë, të cilën e udhëhoqi asistenti për motrat klarise fra Aurel Gjerkaj. Bashkëkremtoi kustodi fra Pashko Gojçaj me meshtarët dhe diakonët e bashkësive të Gjuhadolit dhe Arrës së Madhe. Fra Aureli në fjalën e tij solli në mend edhe një herë se përkujtime të tilla shërbejnë për të reflektuar mbi gjendjen nga ku jemi nisur dhe ku ndodhemi momentalisht, me qëllim përsosjen e vazhdueshme në ecjen tonë. Pas predikimit është vijuar me ritin e ripërtëritjes së kushteve. Pasi secilës motër i është dorëzuar llamba e ndezur, ato me radhë kanë ripërtërirë para të pranishmëve ato premtime të bëra në fillim të rrugëtimit të tyre. Menjëherë pas ripërtëritjes, në shenjë bashkimi klerikët kanë përshëndetur motrat me këngën “Ty t’besohem”. Në fund të meshës të tria motrat falënderuan fretërit për praninë e tyre dhe për çdo gjë të mirë në të cilën janë të bashkuar. Ndër të tjera abatesha falënderoi Zotin, që ka bërë të mundur jo vetëm thirrjen e saj në jetën rregulltare, por edhe thellimin në të përgjatë gjithë këtyre viteve në shërbim të tij.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku