Ripërtëritja e Kushteve të Përkohshme rregulltare

Dëgjohet shpeshherë të flitet për jetë të kushtuar, rregulltarë, kushte të përkohshme ose të përjetshme etj., por pak herë të shpjegohet kuptimi i vërtetë që gjendet pas këtyre fjalëve. Dhe në këtë rast kur flitet për kuptim të vërtetë i bëhet referim më shumë domethënies shpirtërore, se sa thjesht përkufizimit të tyre përmes disa fjalëve të tjera të radhitura në mënyrë logjike. Pra interpretimet që mund të jepen janë të ndryshme, por bërthama që i bashkon është “shpallja e Lajmit të gëzueshëm”. Duke pasur parasysh se çdo periudhë ka të veçantat e veta, atëherë edhe shpallja e këtij Lajmi i përshtatet kohës dhe ambientit në të cilin jetohet, në mënyrë që përcillet e të përvetësohet sa më mirë nga të gjithë njerëzit.

 

Përgjatë historisë kemi parë forma të ndryshme të përçimit të këtij Lajmi, ku një ndër më të përhapurat është ajo e jetës së kushtuar, e cila është një formë e veçantë e kushtimit ndaj Zotit që karakterizohet nga dy elemente kryesore: kushtet rregulltare dhe jeta bashkësiore. Të gjitha cilësitë e jetës së kushtuar janë të nxjerrura nga Ungjilli, prandaj mund të themi se format e ndryshme të jetës së kushtuar bashkohen në një pikënisje dhe pikarritje të njëjtë. Kushtet me të cilat të kushtuarit ndjekin Jezu Krishtin janë varfëria, dëgjesa dhe pastërtia. Përgjithësisht në rrugën e formimit këto kushte përtërihen disa vite radhazi, pastaj me vlerësimin e trupit formues dhe vullnetin e mirë të personit bëhet kushtimi i përjetshëm i rregulltarit ose rregulltares përmes Po-së përfundimtare, e cila vulos jetën e personit në shërbim të Zotit.

 

“Ndjekja e Krishtit në vëllazëri” ka qenë një nga idealet e shën Françeskut, si dhe tema kryesore e ushtrimeve shpirtërore përgatitore për ripërtëritjen e kushtimit të përkohshëm rregulltar të fretërve të Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë”. Ushtrimet e mbajtura në Otok (Montenegro) nga data 12 deri më 17 shtator 2022 janë kurorëzuar me ritin e përtëritjes së kushteve rregulltare të: fra Anton Gilaj, fra Gjergj Deda, fra Kolë Thaqi, fra Lorenc Pepniku, fra Sergjo Jaku dhe fra Tomë Bushpreni.  

 

Riti i përtëritjes është bërë në kapelën e Martirëve shqiptarë, në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol. Ai ka filluar me Mbrëmësoren e udhëhequr nga provinciali fra Pashko Gojçaj, i cili pas Leximit të Shkurtër ka mbajtur një meditim të shkurtër, ku ndër të tjera e lidhi kushtimin Zotit me festën e Varrëve të shën Françeskut, festë e cila përkon me datën e përtëritjes së kushteve. I pranishëm në këtë rit ishte mësuesi i fretërve me kushte të përkohshme fra Nunzio Catania si dhe predikatari i ushtrimeve fra Rosario Gugliotta. Pas ritit të gjithë fretërit u bashkuan në darkën vëllazërore në kuvendin e Shën Françeskut në Gjuhadol.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku