Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve është kthyer tashmë në një traditë e cila po përhapet çdo vit e më shumë në të katër anët e botës. Ndonëse zanafilla e kësaj jave është e vonë (fillim shek. XX), ajo nuk ka vonuar dhe është përqafuar nga komunitete, kisha e kongregata të ndryshme nëpër botë, të cilat zhvillojnë takime lutjeje nga data 18 deri më 25 janar. Në vende të ndryshme gjatë kësaj jave organizohen aktivitete me të rinjtë, takime bashkëndarëse, vigjilje ekumenike si dhe momente të përbashkëta lutjeje. Çdo vit përzgjidhet një frazë apo citim nga Shkrimet si objekt reflektimi dhe meditimi gjatë kësaj jave. Këtë vit është marrë rreshti 2 i kapitullit të dytë të Ungjillit të Mateut “E pamë yllin e tij duke lindur, ndaj erdhëm t’i shprehim nderimet tona”. Ashtu siç magët e kanë lejuar veten e tyre të udhëhiqen nga ylli, ashtu edhe të gjitha kishat duhet t’i besohen plotësisht yllit të vërtetë në mënyrë që të arrihet bashkimi i dëshiruar. Organizimi dhe sistemimi i materialeve dhe argumenteve për këtë Javë i është besuar Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme me seli në Beirut, Liban.
Në vendin tonë, tashmë për disa vite radhazi, kjo Javë ka konsistuar në dy takime lutjeje, të cilat janë mbajtur në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol dhe në kishën e Lindjes së Krishtit në Shkodër. Këtë vit kremtimi ekumenik është organizuar në kishën e Shën Françeskut më 21 janar 2022 në orën 17:00. Udhëheqësi i këtij kremtimi ishte arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra, i cili në fjalën e tij falënderoi Zotin për mundësinë që jep për t’u lutur së bashku për bashkimin e të krishterëve dhe njëkohësisht ftoi besimtarët të mos kenë frikë në këtë rrugëtim, por të kërkojnë gjithmonë forcën nga Zoti në mënyrë që një ditë ky ideal të bëhet realitet. I pranishëm në këtë kremtim ishte famullitari i kishës “Lindja e Krishtit” atë Nikolla Petani. Ai duke përsëritur dëshirën për të pasur një Kungim të përbashkët për kishat tona, vuri theksin në angazhimin që kërkohet nga secili besimtar për të arritur në këtë bashkim aq të dëshiruar, i cili mund të arrihet nëpërmjet përfshirjes aktive dhe lutjeve të vazhdueshme.
Kësaj radhe riti i këtij kremtimi ka qenë pak i ndryshëm prej viteve të tjera. Materiali udhëzues është përgatitur dhe publikuar nga Këshilli Papnor për promovimin e bashkimit të krishterëve, Komisioni për Besimin dhe Urdhri i Këshillit Botëror i Kishave. Në këtë kremtim kanë qenë të ndërthurura lexime, himne, lutje lavdërimi dhe këngë të ndryshme. Nuk mungoi prania e meshtarëve, besimtarëve, rregulltarëve e rregulltareve, të cilët janë bashkuar në këtë kremtim ekumenik për t’u lutur së bashku. Shoqërimin instrumental në këtë kremtim e bëri fra Luigi Aluisi, ndërsa për krejt aktivitetin për sa i përket pjesës organizative u kujdesua përgjegjësi për Ekumenizmin dhe Marrëdhëniet ndërfetare për Arqidioqezën e Shkodër-Pultit dom Emilio Valente.
Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku