E kremtja e Zojës Nunciatë është një ditë e veçantë për Kishën katolike, pasi shënon pranimin e planit hyjnor nga Maria. Kjo festë mund të kuptohet nga disa këndvështrime: “paralajmërim” për festën e Krishtlindjes, e cila bie fiks nëntë muaj pas Zojës Nuciatë; fazë e parë e misterit të Mishërimit të Jezusit, si dhe moment takimi mes hyjnores e njerëzores. 25 marsi ka qenë një datë plot me simbolizma për të krishterët e parë, e mbetet një datë e rëndësishme për të krishterët në të gjithë botën. Zoja Nuciatë është pajtorja e shumë kishave, disa qyteteve e ndër të tjera edhe e Provincës Françeskane Shqiptare. Të qenurit pajtore e Provincës nuk është një rastësi, pasi devocioni ndaj Zojës së Bekuar ka qenë gjithmonë një ndër prioritetet e fretërve, të cilëve ua ka lënë trashëgimi Ati Serafik shën Françesku. Kisha më e vjetër fraçeskane në Shqipëri, tek e cila gjejnë fillimet e tyre fretërit françeskanë, ndodhet në Lezhë dhe i kushtohet pikërisht Zojës Nunciatë.
Mesha solemne në nder të pajtores së Provincës Françeskane Shqiptare është kremtuar në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol më 25 mars 2022 në orën 11:00. Udhëheqësi i kësaj të kremteje ishte arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës imzot Arjan Doda. Bashkëkremtues në këtë kremtim eukaristik ishte provinciali fra Pashko Gojçaj, delegati i Ministrit general për Shqipërinë fra Ivan Sesar, zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj, vikari i përgjithshëm i Dioqezës së Sapës dom Robert Kola, vikari i përgjithshëm i Dioqezës së Rrëshenit dom Genc Çupi si dhe meshtarë të tjerë rregulltarë e dioqezanë. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe katër diakonë të Arqidioqezës Shkodër-Pult: Marjan Gjinesha, fra Jak Kolgjeraj, fra Valentin Tinaj, fra Kristjan Camaj si dhe diakoni fra Kastriot Demaj nga Arqipeshkvia e Tiranë-Durrësit. Në fillim të meshës fra Pashku i uroi mirëseardhjen imzot Arjanit, fra Ivanit dhe të gjithë të pranishmëve që ishin bashkuar me fretërit për të kremtuar së bashku Zojën Nunciatë. Provinciali gjithashtu i uroi mësuesit të klerikëve fra Nunzio Catanias ditën e emrit. Pas përshëndetjes së bashku me besimtarët i drejtuan Zojës Mari një lutje për paqen në botë, e veçanërisht për Rusinë e Ukrainën, të cilat janë të përshkuara nga ky konflikt që sjell vetëm dëmtim e shkatërrim për të dyja palët. Tema e paqes u rimor edhe gjatë predikimit të imzot Arjanit, i cili theksoi se një nga mesazhet e para të Zojës Mari (kur është dukur fillimisht në Megjugorje) ishte: “Kush gjen Zotin, gjen jetën, gjen paqen”. E është pikërisht ajo e fundit e cila mungon në ditët tona dhe lufta aktuale e dëshmon këtë.
Në këtë kremtim eukatistik qenë të pranishëm edhe shumë rregulltarë e rregulltare të bashkësive të ndryshme, terciarë françeskanë, anëtarë të Shoqërisë “Illyricum” dhe miq e dashamirës të Provincës Françeskane Shqiptare. Për shërbimet e meshës dhe animimin muzikor u kujdesën klerikët dhe motrat françeskane të Zojës së Papërlyer, stigmatine dhe të Jezusit fëmijë. Mesha u mbyll me bekimin solemn të dhënë nga imzot Arjani. Pas meshës qe edhe dreka vëllazërore ku njëkohësisht u festua festa e Pajtores së Provincës dhe dita e emrit e fra Nunzios.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku