Përgjatë historisë së filozofisë, të shumtë kanë qenë ata të cilët janë munduar të përkufizojnë dhe përcaktojnë njeriun. Dy komponentët kryesorë me anë të të cilëve është lëvruar për të gjetur kuptimin e vërtetë të personit janë: shpirti dhe trupi. Ndër përcaktime të tjera, Kisha mëson se njeriu është shpirt i mishëruar, pra në të është dimensioni trupor dhe ai shpirtëror. Këto dy pjesë përbërëse janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe në mënyrë të vazhdueshme ndërveprojnë mes tyre. Kështu njeriu duhet të kujdeset për të dyja dimensionet, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Zhvillimet e ndryshme teknologjike nuk favorizojnë shumë kujdesin për pjesën trupore tonën, pasi njerëzit janë më të prirur të qëndrojnë botën virtuale se sa të marrin pjesë nëpër aktivitete të ndryshme sportive.
Kështu të rriturit, veçanërisht edukatorët e kanë për detyrë t’i nxisin të rinjtë për t’u kujdesur më shumë për jetën e tyre fizike. Edhe institucionet kompetente duhet të sigurojnë ambiente të përshtatshme për të rinjtë për të ushtruar këto aktivitete. Një investim i tillë modest është bërë në famullinë e Shën Palit e Pjetrit në Bajzë. Me datën 19 shkurt 2022 në orën 11:00 është zhvilluar ceremonia e inaugurimit të fushës sportive, e cila do të vihet në shërbim të banorëve të këtij qyteti të vogël në veri të Shqipërisë. Ceremonia është hapur nga famullitari i kësaj famullie fra Ndue Toplana, i cili përshëndeti të pranishmit si dhe falënderoi të gjithë dhuruesit që kanë bërë të mundur realizimin e këtij objekti. Fra Ndoja ka ndjekur me shumë përkushtim punimet e bëra hap pas hapi.
Më pas ka vijuar kryetari i Bashkisë së Koplikut z. Tonin Marinaj, i cili ka përgëzuar të gjithë për punën e bërë dhe e ka cilësuar këtë objekt si një të mirë të përbashkët. Z. Marinaj është pasuar nga arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra, i cili e bekoi objektin sapo shprehi komplimentet e tija për të. I pranishëm në këtë ceremoni inauguruese ishte edhe provinciali i Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” fra Pashko Gojçaj, zëvendës provincial fra Aurel Gjerkaj, guardiani i kuvendit të Shën Palit e Pjetrit në Bajzë fra Vitor Demaj, famullitari i kishës së Shën Gjonit në Hot dom Ardian Arra dhe fra Patrick Zamysevskij, i cili kishte ardhur si përfaqësues i “Franziskaner für Mittel- und Osteuropa” që është një nga donatorët e këtij objekti së bashku me Provincën Françeskane Shqiptare dhe famullinë e Bajzës.
Pas bekimit të fushës është bërë prerja e shiritit nga imzot Angelo, fra Pashku, fra Patriku dhe z. Tonin. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm besimtarë të shumtë nga famullia. Ngjitur me fushën sportive është mundësuar edhe një hapësirë e vogël, e cila do të shërbejë si vend-parkimi. Gjithashtu janë mbjellë edhe disa pemë ulliri, të cilat janë vlefshme jo vetëm për ambientin, por kanë edhe rëndësi simbolike pasi janë shenjë e paqes. Pas inaugurimit të gjithë janë mbledhur në oborrin e shtëpisë së motrave françeskane misionare të Jezusit Fëmijë në Bajzë, ku ishte organizuar një koktej i vogël. Ky objekt është një dëshmi për kujdesin e famullisë ndaj të rinjve të këtij vendi, të cilët fatkeqësisht dita-ditës po pakësohen nga fenomeni i emigrimit.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku
Fotot: Fra Kristjan Camaj