Një nga manifestimet argëtuese dhe të pëlqyeshme nga popujt e ndryshëm është ai i Karnivaleve, rrënjët e të cilit gjenden te koha e Kreshmëve. Fjala “karvinal” mendohet të jetë përdorur fillimisht në shek. XII nga banorët e një fshati të vogël në Italinë e Veriut, të cilët para se të fillonte agjërimi gjatë kohës së Kreshmëve, festonin të ashtuquajturën “carnelevare”, që vjen nga latinishtja “carnem levare” dhe që nënkuptonte manifestimin e madh që bëhej para “heqjes së mishit”. E veçanta e këtij manifestimi ishte pikërisht fakti se finaliteti i tij konsiston në diçka që nuk e gjejmë brenda vetë manifestimit, por kërkohet që të hidhet shikimi në diçka më të madhe. Me fjalë të tjera ishte një parapërgatitje për agjërimin dhe pendesën që do të ndiqte pak kohë pas kësaj feste. Pak nga pak kjo festë mori përmasa globale duke u festuar në mënyra dhe forma nga më të ndryshmet në përshtatje edhe të traditave dhe zakoneve të vendit përkatës. Në disa qytete të Shqipërisë për Karnivale organizohen festivale të ndryshme me pjesëmarrje të gjerë të banorë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë fëmijët. Vende-vende bëhet edhe djegia e dordolecit apo shtrigës.
“Karnival, petulla e mjaltë” është titulluar shfaqja e përvitshme e organizuar nga Shoqnia Kulturore “Illyricum” miq të shën Françeskut me rastin e festës së Karnivaleve 2022. Në këtë shfaqje kanë qenë të ndërthurura këngë, bejta e parodi të ndryshme, të shfaqura nga anëtarët e kësaj shoqërie në ambientet e teatrit “Illyricum” më 27 shkurt 2022 në orën 18:00. Hapja e shfaqjes është bërë nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, njëkohësisht dhe asistenti shpirtëror i Shoqnisë “Illyricum” fra Pashko Gojçaj, i cili në përshëndetjen e tij kujtoi dhe një herë kuptimin e vërtetë të Karnivaleve, të cilat shënojnë rënien e maskave të ndryshme që kemi zgjedhur të përdorim dhe daljen ashtu siç jemi para Zotit pak ditë pas Karnivaleve, me fillimin e kohës së Kreshmëve. Prezantimi i performancave është bërë nga Paulin Ujka, i cili së bashku me regjinë Zef Ndojën, drejtuesin artistik Lukë Mllugjën, solistët dhe instrumentalistët kanë bërë të mundur realizimin e kësaj shfaqjeje.
I pranishëm në këtë mbrëmje ishte guardiani i kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Gazmend Tinaj dhe zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj. Gjithashtu janë bashkuar në këtë shfaqje edhe fretërit studentë të Gjuhadolit, fretërit e bashkësisë së Arrës së Madhe, motra të kongregatave të ndryshme, familjarë të performuesve si dhe miq e dashamirë të kësaj shoqërie. Shfaqja është përcjellë edhe nga stacioni televiziv TV1 Channel. Këngët e kënduara me shumë gjallëri dhe hare nga të rinjtë janë shoqëruar me duartrokitje të shumta nga të pranishmit. Në fund të shfaqjes ka kënduar kori i fëmijëve, të cilët janë dirigjuar nga Lukë Mllgja dhe shoqëruar në piano nga Gjon Shllaku, i cili ishte i ftuar special i kësaj mbrëmjeje. Në përmbyllje të shfaqjes Zef Ndoja theksoi rëndësinë e kësaj shfaqjeje si hapëse, në një farë mënyre, e aktiviteteve që do të ndjekin më pas. Siç edhe ishte premtuar, pas shfaqjes janë ofruar petulla dhe mjaltë, të cilave u janë shtuar edhe batutat e bisedat e ngrohta mes të pranishmëve.
Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku