KONCERTI QE I THA “JO LUFTES”!

Në Kishën e Arrës së Madhe në Shkodër më 16.09.2022 u dha një koncert me pjesëmarrjen e Baritonit Dmitrij Grinekh nga Rusia, sopranos Sara Vujosheviq nga Mali i Zi dhe pianistit Nikita Loyko nga Ukraina. Kjo Kishë e restauruar bukur së bashku me publikun që e kishte mbushur me një pjesëmarrje të madhe, krijoi kushte optimale dhe ngrohtësi, gjë që artistët e morën sapo dolën për të filluar koncertin.

 

Repertori i zgjedhur përmbante pjesë muzikore solistike dhe duete nga muzika e shenjtë sllave si dhe veprën e mirënjohur “STABAT MATER” të kompozitorit Giovanni Battista Pargolesi (1710 - 1736). Zërat e bukur të solistëve dhe shoqërimi korrekt nga pianisti, i cili në përshtatje me muzikën dhe dakordësinë e këngëtarëve kishte zgjedhur regjistrin e organos, tingëlluan kompakt dhe në harmoni të plotë me trajtimin e pasur artistik.  

 

Interpretimi i veprave të kompozitorëve Moniuszko, Dvorzhak, Warlamow, Tchaikovsky, Dargomyzhsky, Sonevitsky të muzikës sllave nga solistët Dmitrij Grinekh dhe soprano Sara Vujosheviq, ishte alternuar mire e me kujdes ndërmjet vokaleve të tyre dhe bëri që programi të kishte larmi edhe në këtë vështrim. Me interresë ishte njohja e publikut me këto autorë dhe veprat e tyre të cilat besoj se paraqiten për here të parë para publikut në vendin tonë. Kjo i shërben dialogut kulturor dhe nderton ura komunikimi ndermjet popujve e besimeve të ndryshme fetare.

 

Në interpretimin e tetë numrave të zgjedhura nga dymbëdhjetë numrat e “Stabat Mater”, u evidentua kujdesi për të ruajtur karakteristikat stilistike të veprës, autorit dhe periudhës së barokut, periudhë historike së cilës i përket koha kur jetoi autori dhe kur u kompuozua vepra.

 

Në tërësi interpretimi i pasur artistik i të gjithë programit, frazimet e realizuara me logjikë profesionale dhe ngarkesën e duhur emocionale, si dhe komunikimi i ekiulibruar i solistëve në duete, i dhanë vlera të qëndrushme koncertit duke bërë që publiku të shprehë admirimin, duke reaguar me duatrokitjet e ngrohta.  Në këtë kohë të mpleksur nga konfliktet dhe lufta që po zhvillohet në Ukrainë, ky koncert që u dha në Shkodër nga tre debutues me përkatësi të ndryshme kombëtare nga Rusia, Ukraina dhe Mali i Zi, me pjesmarrjen e publikut tonë, është një sfidë për interresat paqësore të popujve dhe artistëve që i thonë JO LUFTES!Koncerti u realizua me mbështetjen e Kryedioqezës së Tivarit me ipeshkëv mons. Rrrok Gjonlleshaj, Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” me provincial padër Pashko Gojçaj dhe organizatës joqeveritare “ZIMA”.

 

Një falenderim për realizimin me sukses të koncertit kanë drejtuesit e Famullisë të Kishës së Arrës së Madhe në Shkodër “Zoja Rruzare”, e në mënyrë të veçantë famullitari i saj pader Aurel Gjerkaj.

 

 

                                    Teksti: Prof. Zef Çoba