Festa e varrëve të shën Françeskut

Jeta e çdo njeriu, duke përfshirë këtu edhe atë të shenjtërve, përbëhet nga disa momente të veçanta, të cilat lënë një vulë të pashlyeshme te ne. Ato shërbëjnë si pikë referimi për të folur rreth figurës së një personi në tërësinë e tij. Një moment i tillë në jetën e shën Françeskut të Asizit është pa diskutim marrja e varrëve të shenjta të Jezu Krishtit. Ai qe i pari në historinë e krishterimit që i përngjau Krishtit aq shumë, saqë përjetoi edhe dhimbjet e varrëve të tij, një gjë kjo kontradiktore pasi njëkohësisht me dhimbjen fizike ai përjetonte edhe ëmbëlsinë e dashurisë së Krishtit.

 

Familja françeskane, në veçanti motrat Stigmatine, e kremtojnë festën e Stigmatizimit të shën Françeskut më 17 shtator. Me këtë rast motrat stigmatine në Shkodër kanë kremtuar vigjiljen dhe meshën e shenjtë në kishën e Shën Bonaventurës. Vigjilja është kremtuar me datën 16 shtator 2021 në orën 17:30 dhe ka qenë e përbërë nga dy momente kryesore. Në fillim është bërë adhurimi i të Shenjtërueshmit Sakrament nga ora 17:30 deri në orën 18:30, ndërsa në pjesën e dytë është lutur Mbrëmësorja, e cila është udhëhequr nga provinciali i Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” fra Pashko Gojçaj. Ai pas Leximit të shkurtër ka bërë një reflektim të shkurtër rreth kësaj feste duke e lidhur edhe me historinë që ka kaluar vendi ynë në periudha të ndryshme, sidomos gjatë periudhës së komunizmit, dëshmitare të gjalla të së cilës janë edhe dy motrat Stigmatine motër Roza Kraja dhe motër Maria Kaleta. Sigurisht që nuk mund të lihej pa përmendur edhe figura e të lumes Marie Tuci, e cila edhe ajo dëshmitare e kësaj periudhe, u bë shembull qëndrueshmërie për të gjithë ne. Që prej ardhjes së tyre në Shqipëri motrat Stigmatine kanë dhënë një kontribut shumë të madh në fushën shpirtërore, edukuese, arsimore, kulturore etj., duke lënë kështu një vulë të pashlyeshme. Në lutje u bashkuan besimtarë, motra të kongregatave të ndryshme dhe ndjekës të tjerë të shën Françeskut.

 

Ndërsa me datën 17 shtator u kremtuar mesha e shenjtë nga fra Pashku në orën 17:00. Bashkëkremtues ishin etërit kapuçinë dhe zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj. Gjatë predikimit fra Pashku përshkroi shkurtimisht momentin kur Ati serafik mori varrët e shenjta të Jezu Krishtit në malin La Verna në vitin 1224, duke e quajtur këtë moment si kthimi i dytë i Françeskut. Një ndër pyetjet që mund të shtrohet është “Cila ishte zanafilla e marrjes së varrëve të shenjta?”. Përgjigjja e kësaj pyetjeje gjendet në brendësinë e Atit serafik, i cili kërkoi nga Hyji i Gjithëpushtetshëm të përjetonte dhimbjen e mundimeve dhe dashurinë e ëmbël të Krishtit. Ndërsa përgjigjja e Hyjit për kërkesën e tij ishte pikërisht dhurimi i varrëve të shenjta të Jezu Krishtit.

 

Para bekimit përfundimtar delegatja e motrave Stigmatine në Shqipëri motër Terezina Demaj falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, sidomos fra Pashkun për udhëheqjen e këtyre momenteve të veçanta, si dhe korin me dirigjent Fatjon Tanazin dhe Rozeta Leka në piano, të cilët kanë ndihmuar për ta përjetuar më mirë liturgjinë e kësaj feste.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku