Shpeshherë dëgjohet të flitet për “ushtrime shpirtërore”, por pa u ndalur në detaje se çka ato janë në të vërtetë. Një ndër përkufizimet më të mira është ai i dhënë nga vetë shën Injaci, i cili në librin e tij shpjegon se “me termin ‘ushtrime shpirtërore’ kuptohet çdo mënyrë shqyrtimi të ndërgjegjes, të meditimit, të kontemplimit, të lutjes me zë ose mendore, e të veprimeve të tjera shpirtërore... Sepse siç të shëtiturit, të ecurit, të vrapuarit janë ushtrime fizike, kështu thuhet për ushtrimet shpirtërore se janë çdo mënyrë përgatitjeje të shpirtit për të hequr afektet e parregullta, e pasi të jenë hequr, të kërkohet të gjendet vullneti i Hyjit në shërbim të jetës së vetë personit për shëlbimin e shpirtit”. Ky përkufizim në mënyrë integrale na formon një vizion më të qartë të ushtrimeve shpirtërore.
Ushtrime të tilla janë të përcaktuara për çdo njeri të kushtuar, por në mënyrë të posaçme zhvillohen edhe para momenteve të veçanta siç: kushtimi i përkohshëm ose i përjetshëm, marrja e ndonjë shërbese, fillimi i ndonjë shërbimi të ri etj. Me rastin e ripërtëritjes së kushteve të përkohshme një pjesë e klerikëve të Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” kanë zhvilluar ushtrimet shpirtërore për një periudhë pesëditore në Perast, Mal të Zi. Mbajtësi i ligjëratave gjatë këtyre ditëve ka qenë dom Emilio Valente. Temat e shtjelluara nga dom Emilio ishin të shumta, por struktura ishte gjithmonë e njëjtë duke bërë një kombinim midis Besëlidhjes së Re, Besëlidhjes së Vjetër, Qortimeve të shën Françeskut dhe Enciklikës së papa Françeskut “Vellezër të gjithë”.
Ushtrimet kanë filluar ditën e hënë me datën 13 shtator 2021. Nga klerikët me kushte të përkohshme që bëjnë pjesë në bashkësinë e kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol kanë qenë fra Anton Gilaj, fra Sergjo Jaku dhe fra Lorenc Pepniku, ndërsa nga bashkësia e kuvendit të Zojës Rruzare tek Arra e Madhe ishte fra Kolë Thaqi. Bashkë me klerikët ishte edhe mësuesi i tyre fra Nuncio Catania nga bashkësia e Gjuhadolit. Programi i ushtrimeve përmbante momentet e caktuara për meshën e shenjtë, liturgjinë e orëve, adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament, ligjëratat dhe meditimin personal. Një moment vëllazëror ka qenë edhe vizita e qytetit të vjetër të Kotorrit, në të cilin ndër të tjera dalloheshin qartë gjurmët e pranisë së etërve françeskanë.
Ushtrimet kanë përfunduar më 17 shtator 2021 në festën e Varrëve të shën Françeskut, ditë në të cilën klerikët kanë bërë edhe rinovimin e kushteve të përkohshme.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku