Shugurimi i diakonëve të rinj

Dëgjohet shpesh në Kishën katolike të flitet për terma të tillë si “diakon” ose “shugurim diakonal”. Këto nocione përdoren vazhdimisht në diskurset tona, nganjëherë ndoshta edhe pa ditur saktësisht kuptimin dhe domethënien e tyre. Sikur të shtrohej pyetja “Kush është diakoni dhe çfarë funksioni ka ai?” të shumtë do të ishin ata që do ta konsideronin atë thjesht si një anëtar të klerit, i cili është në përgatitje për t’u shuguruar meshtar. Të qenurit diakon e tejkalon këtë mënyrë të konceptuari thjesht si një pjesëtar i hierarkisë kishtare. Kuptimin më të saktë të këtij termi e gjejnë në vetë etimologjinë e fjalës “diakon”, që vjen nga greqishtja (διάκονος – diákonos) dhe do të thotë shërbyes. Pra detyra parësore e diakonit është shërbimi. Nga kjo pastaj rrjedhin edhe të gjitha funksionet e tjera. Sigurisht, nuk është vetëm diakoni që është i thirrur të shërbejë, por ai duhet ta bëjë këtë gjë në mënyrë të domosdoshme dhe tërësisht të veçantë, duke shpallur Lajmin e gëzueshëm dhe duke dhënë një dëshmi të vërtetë dashurie, mirësie dhe dhembshurie.

 

Marrja e shërbesës së diakonatit nuk është një gëzim vetëm për personin që e merr atë, por për krejt familjen, pjesëtar i së cilës është diakoni. Një gëzim të tillë ka përjetuar Provinca françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë”, e cila është pasuruar me tre diakonë të rinj: fra Jak Kolgjeraj, fra Valentin Tinaj dhe fra Kristjan Camaj. Shugurimi diakonal është bërë në ditën e festës së Zojës së Papërlyer, më 08.12.2021, datë në të cilën dy prej diakonëve (fra Valentin Tinaj dhe fra Kristjan Camaj) kanë mbushur një vit që nga kushtimi i përjetshëm rregulltar në familjen françeskane. Data e shugurimit diakonal ka një domethënie të veçantë, pasi Zoja e Papërlyer është pajtorja e krejt Urdhrit françeskan të themeluar nga shën Françesku, i cili kishte një devocion shumë të madh ndaj Zojës, aq sa edhe ia beson asaj të gjithë vëllezërit e tij.

 

Një ditë përpara shugurimit diakonal është kremtuar në kishën e Shën Françeskut Vigjilja e të kremtes së Zojës së Papërlyer, së cilës i janë bashkuar edhe lutjet për diakonët e rinj. Në orën 18:00 është lutur Mbrëmësorja, e menjëherë pas saj është vazhduar me lutjen e Nëntëditëshes së Zojës. Lutja është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra. Pas reflektimit të bërë nga fra Gazmend Tinaj rreth Zojës së Papërlyer diakonët kanë vijuar me betimin para imzot Massafrës. Lutja është mbyllur me bekimin solemn të ipeshkvit.

 

Të nesërmen, më 08 dhjetor 2021 është kremtuar mesha e shenjtë në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 11:30. Udhëheqësi i meshës ishte imzot Massafra, ndërsa bashkëkremtues ishte provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj, rektori i kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj dhe meshtarë të shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Riti i shugurimit të tre diakonëve të lartpërmendur është bërë menjëherë pas predikimit të imzot Massafrës, i cili theksoi se nisma për të gjitha veprat tona të mira i përket vetëm Zotit; pra është ai i cili na thërret. Ne mjafton që t’i përgjigjemi me “Po”, ashtu siç bëri edhe Zoja e Bekuar, e cila iu besua plotësisht planit të Zotit. Pas ritit të shugurimit diakonët e rinj u falën me ipeshkvin dhe familjarët e tyre. Në fund të meshës fra Valentini, në emër të diakonëve të saposhuguruar, falënderoi Zotin për këtë shërbesë kaq domethënëse, imzot Massafrën, meshtarët e pranishëm, klerikët dhe seminaristët, familjet e diakonëve, rregulltarët e rregulltaret e kongregatave të ndryshme, korin nën drejtimin e fra Luigi Aluisit dhe Harlen Nikollit si dhe të gjithë pranishmit që kanë bashkëndarë me ta këtë moment gëzimi. Pas meshës të gjithë u mblodhën në oborrin e kuvendit ku ishte organizuar një koktej.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Studio Nënshati