Shugurimi diakonal i fra Kastriot Demaj

Diakonati është grada e parë e sakramentit të Urdhrit të Shenjtë. Diakon do të thotë “shërbyes”, e pikërisht prej etimologjisë së fjalës kuptojmë funksionin dhe qëllimim e vërtetë të diakonatit, që është posaçërisht “të shërbyerit”. Diakonati është njëkohësisht shërbesa e liturgjisë, Fjalës dhe dashurisë. Mbarështuesi i këtij shërbimi mund të shpallë dhe të shpjegojë Fjalën e Zotit, jep Pagëzimin, shpërndan Kungimin, kremton Liturgjinë e Fjalës.

 

Më 24 prill 2021 në kishën e Shën Mëhillit në Laç është kremtuar mesha solemne, gjatë së cilës është bërë shugurimi diakonal i fra Kastriot Demaj. Mesha e shenjtë u udhëhoq nga arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo së bashku me ipeshkvin-ndihmës imzot Arjan Dodaj. Bashkëkremtues ishin edhe provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj si dhe fretër e meshtarë nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

 

Imzot Frendo gjatë predikimit ftoi diakonin e ri, por edhe të gjithë të tjerët, që të mundohen t’i ngjajnë sa më shumë Krishtit dhe të bëhen bashkëpjesëtarë në misionin e tij si mbret, profet dhe prift. Riti i shugurimit të diakonit të ri u bë menjeherë pas predikimit. Në fund fra Prelë Gjurashaj falënderoi arqipeshkvin për praninë e tij si dhe uroi fra Kastriotin për shërbimin e tij të ri.

 

I urojmë fra Kastriotit një punë të mbarë dhe një ecje të shenjtë si diakon.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

                                                                                         Fotot: Jak Kolgjeraj