Ripërtëritja e kushteve të përkohshme

Një element i rëndësishëm që çdo njeri kërkon ta arrijë gjatë jetës së tij është të qenurit i formuar. Formimi është i shumëllojshëm dhe trajtohet në sense të ndryshme si: intelektual, profesional etj. Në këtë pjesë do të cekim shkurtimisht formimin françeskan, i cili para së gjithash shfaq nevojën e dy formimeve të tjera paraardhëse, që janë ai njerëzor dhe katolik, në mënyrë që të përmbushet tërësisht. Të jesh plotësisht i formuar në mënyrën françeskane është një proces shumë-hapësh. Secili hap që ndërmerret dhe secila fazë që kalohet kërkon një përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm dhe të palodhshëm, në mënyrë që të dëshmohet plotësisht identiteti ynë. Ecja zyrtare fillon me Postulandatin, vazhdon me Noviciatin dhe Post-noviciatin (i quajtur ndryshe edhe Klerikati/Studentati), e përmbyllet me Kushtet e përjetshme, të cilat i lënë vendin formimit të vazhdueshëm.

 

Post-noviciati është një periudhë që zgjat nga tre deri në nëntë vjet. Gjatë kësaj kohe bëhet ripërtëritja vjetore e kushteve të përkohshme rregulltare, të cilat janë dëgjesa, varfëria dhe pastërtia. Klerikët e Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” kanë bërë ripërtëritjen e kushteve të përkohshme në ditën e festës së Varrëve të shën Françeskut më 17 shtator 2021 në kapelën e Martirëve, e cila gjendet brenda kishës së shën Françeskut në Gjuhadol. Klerikët që përtërinë kushtet ishin:

Fra Kolë Thaqi

Fra Anton Gilaj

Fra Sergjo Jaku

Fra Gjergj Deda

Fra Tomë Bushpreni

Fra Lorenc Pepniku

 

Riti i përtëritjes së kushteve ka filluar me lutjes e Mbrëmësores së udhëhequr nga provinciali fra Pashko Gojçaj, i cili menjëherë pas Leximit të shkurtër mbajti një homeli të shkurtër. Ndër të tjera ai cilësoi shqyrtimin dhe reflektimin që secili duhet të bëjë gjatë kësaj ecjeje, për të kuptuar më mirë thirrjen e Zotit në jetën e tij. Në këtë ecje të kushtimit të përkohshëm rregulltar lypet që kushtet e ripërtërira të mbahen mbi të gjitha me besnikëri (besë), virtyt i cili i ka karakterizuar gjithmonë shqiptarët. Pas një momenti heshtjeje vazhdoi riti i ripërtëritjes së kushteve të fretërve të sipërpërmendur. Në përfundim të ritit vazhdoi si rregullisht Mbrëmësorja. Të pranishëm në këtë rit ishin fretërit e bashkësisë së kuvendit të Zojës Rruzare tek Arra e Madhe. Mbrëmja u mbyll me darkën vëllazërore.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Jak Kolgjeraj & Fra Aurel Gjerkaj