Misioni në Iballë

Një aspekt sa i veçantë aq edhe i rëndësishëm i Kishës katolike sot është aktiviteti misionar. Rreth këtij aktiviteti flitet në dekretin Ad Gentes të Koncilit të dytë të Vatikanit. Në këtë dekret shkruhet se një nga misionet themelore të Kishës katolike është ungjillëzimi. Mbi rëndësinë e misionit flet edhe papa Françesku, i cili në një nga fjalimet e tij thekson: “Secili katolik duhet të jetë misionar; të shpallë Lajmin e Mirë, të ndihmojë ata që janë në nevojë dhe të jetojë si shembull për të tjerët”. Aktiviteti misionar zhvillohet në forma dhe mënyra të ndryshme duke iu përshtatur edhe kohës dhe vendit në të cilin zhvillohet. Një formë mjaft e përhapur është ajo e misioneve në zonat e thella malore, ku prania e meshtarëve dhe e rregulltarëve bëhet mjaft e vështirë. Zakonisht këto lloj misionesh zhvillohen në verë dhe kanë një kohëzgjatje të caktuar kohore. Në Shqipëri kjo formë misioni praktikohet shumë për vetë faktin se zona të tilla përbëjnë pjesën më të madhe të relievit. Ndër zona të thella mund të përmendim Dukagjinin, Pukën si dhe vende të tjera, të cilat gjenden kryesisht në pjesën veriore dhe verilindore të Shqipërisë. Prania e Kongregatave dhe Urdhrave të ndryshëm në vendin tonë e ka favorizuar shumë këtë aktivitet misionar.

 

Françeskanët të cilët për një kohë të gjatë shërbejnë në njësinë administrative Iballë të rrethit Pukë kanë zhvilluar një mision veror 5-ditor në këtë zonë dhe në fshatrat përreth saj. Tashmë misioni në këtë vend është kthyer në një lloj tradite, pasi organizohet thuajse çdo vit. Misioni ka filluar ditën e hënë, me datën 05 korrik 2021. Organizuesi ka qenë vetë famullitari i famullisë së Iballës, fra Pashko Gojçaj, i cili njëkohësisht është provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare në Shqipëri dhe Mal të Zi. Në mision janë bashkuar edhe diakoni fra Kastriot Demaj me vendbanim në Laç, klerikët fra Tomë Bushpreni dhe fra Lorenc Pepniku me vendbanim në Shkodër dhe dy motra françeskane të Zojës së Papërlyer: motër Luljeta Pjetri me vendbanim në Lezhë dhe motër Irenea Lekaj me vendbanim në Kallmet.

 

Ditën e hënë në grupe janë bekuar shtëpitë e lagjeve Levoshë dhe Ludricë, ndërsa mesha e shenjtë është kremtuar në kishën famullitare të Shën Gjergjit në Iballë. Të nesërmen misioni ka vazhduar në një zonë mjaft të thellë, e cila quhet Berishë. Kjo e fundit ndahet në Berishë e Epër, Berishë e Vendit dhe Berishë e Vogël. Bekimi i shtëpive dhe kremtimi i meshës është bërë në Berishë të Vogël ose siç quhet ndryshe Katuni i Kishës. Mesha e udhëhequr nga fra Pashku është kremtuar në orën 11:00. Gjithashtu të mërkurën në afërsi me Berishën e Vogël në grupe janë bekuar shtëpitë në zonën e Pabit, ndërsa në Shopel janë bekuar shtëpitë dhe është kremtuar mesha në orën 12:00. Gjatë këtyre ditëve në këto zona, pas bekimit të shtëpive, fretërit kanë ngrënë drekë te shtëpitë e besimtarëve të zonës të cilët, siç i takon një shqiptari të vërtetë, i kanë mirëpritur bujarisht fretërit që kishin ndalur për të qëndruar disa çaste me ta.

 

Ditën e enjte në orën 11:00 mesha është kremtuar në kishën e Shën Gjergjit në Iballë nga fra Pashku. Gjatë meshës një çift ka vendosur Kurorën e Martesës. Pas meshës janë pagëzuar dy fëmijët e këtij çifti. Çdo ditë motrat françeskane u kanë bërë katekizëm fëmijëve dhe gjatë meshëve kanë ndihmuar me këngët dhe leximet së bashku me klerikët. Pasditeve janë mbledhur fëmijët nga zonat përreth dhe kanë kaluar disa momente argëtuese bashkë me fretërit.

 

Mesha përmbyllëse është kremtuar ditën e premte në kishën e Shna Ndout ose siç njihet nga banorët e zonës kisha e Thaçit. Të pranishëm kanë qenë shumë besimtarë të fshatrave dhe lagjeve përreth. Gjatë predikimit fra Pashku falënderoi të gjithë për mikpritjen e tyre, bashkëpunimin dhe gatishmërinë që kanë treguar gjatë këtij misioni, e nga ana tjetër ftoi që, ashtu siç të parët e tyre e kanë ruajtur fenë e krishterë me një besim të palëkundshëm, ashtu edhe ata të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Kujtojmë se në zonën Kodër Qurk të Iballës është lindur dhe rritur martiri shqiptar Fran Mirakaj, i cili pikërisht ka ruajtur dhe dëshmuar fenë dhe besimin e tij deri në shkallën më të lartë, që është dhurimi i jetës së vet.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku