Një element i rëndësishëm që ndihmon në pasjen e një panorame më të plotë të identitetit të personit është njohja e rrënjëve të veta. Kur bëhet fjalë për ata që bëjnë pjesë në urdhra ose kongregata të ndryshme, një pjesë e kësaj njohjeje lidhet pikërisht me vetë jetën dhe veprën e themeluesit ose themelueses të cilët, ndonëse kanë ofruar dhe përqafuar forma të ndryshme jetese, gjithmonë rrugëtimi i tyre ka pasur të njëjtin drejtim. Njëra prej këtyre mënyrave të jetesës, e cila që në fillimet e saj ka mbledhur në gjirin e saj shumë ndjekës, është ajo e krijuar nga shën Françesku i Asizit. Rrugëtimi i tij, ashtu siç i çdo shenjti tjetër, ka kaluar nëpër disa momente kyçe, të cilat kanë lënë shenjë të pashlyeshme në jetën e tij. Fretërit me kushte të përkohshme të Provincës Françeskane Shqiptare kanë zhvilluar një udhëtim, itinerari i të cilit ka qenë kronologjikisht i ngjashëm me atë të rrugëtimit të shën Françeskut. Ky udhëtim i zhvilluar në formën e një peligrinazhi u ka dhënë mundësinë fretërve të vizitojnë vendet kryesore nëpër të cilat ka kaluar shën Françesku. Së bashku me fretërit e sipërpërmendur ka qenë mësuesi i tyre fra Nuncio Catania dhe guardiani i kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Gazmend Tinaj.
Nisja është bërë mëngjesin e ditës së diel, më 27 qershor 2021. Pas mbërritjes në aeroportin e Ankonës disa fretër të bashkësisë së eremit të Shën Marisë së Valdisasso-s i kanë mirëpritur ata dhe shoqëruar deri tek eremi në fjalë. Aty kanë ngrënë drekë dhe kanë vizituar ambientet e këtij eremi, për të cilin shumë legjenda flasin se shën Françesku ka banuar aty për pak kohë. Pasdite fretërit kanë lënë eremin dhe janë drejtuar për në Bazilikën papale të Shën Marisë së Engjëjve. Bazilika është ndërtuar rreth kishëzës së meremetuar nga vetë shën Françesku. Pas përshëndetjes me fretërit ata janë akomoduar në ambientet e kuvendit të rezervuara për miqtë.
Ditën e hënë paradite fretërit kanë vizituar pikat më të rëndësishme të qytetit të Asizit. Ndër më kryesoret mund të përmendim: Bazilikën e Shën Kjarës, Kishën e re (e cila është ngritur në vendin ku tradita thotë se është rritur shën Françesku), Katedralen e Shën Rufinit dhe Bazilikën e Shën Françeskut, ku dhe pushon trupi i tij. Ndërsa pasdite fretërit kanë vizituar shenjtëroren e Shën Damianit, për të cilën Burimet françeskane përshkruajnë episodin kur Kryqi i Shën Damianit i flet shën Françeskut dhe i kërkon të shkojë e ta rindërtojë Kishën, e cila po rrënohet.
Më 29 qershor, në festën e Shën Pjetrit dhe Palit, fra Gazmendi ka festuar 20 vjetorin e shugurimit meshtarak. Atë ditë fra Gazmendi dhe fra Nuncio kanë kremtuar meshën në kishën e vogël të Ponciunkolës. Pas drekës ata kanë përshëndetur fretërit dhe janë nisur së bashku për në Fonte Colombo. Pasi kanë mbërritur atje ata janë pritur nga fretërit që banojnë atje dhe janë akomoduar nëpër dhomat e tyre. Gjatë pasdites kanë bërë një shëtitje të vogël në ambientet rreth kishës e kuvendit. Të nesërmen njëri nga fretërit e kuvendit në Fonte Colombo i ka shoqëruar ata në vendet kryesore aty përreth. Duhet të përmendet Sacro Speco (E çara e shenjtë) ku shën Françesku ka shkruar Rregullën dhe shtëpizën ku ai i është nënshtruar një operacioni në sy. Pasdite në orën 15:00 fretërit kanë vizituar Poggio Bustone-n. Aty është e famshme shprehja “Ditë të mirë, njerëz të mirë”, të cilën shën Françesku ua thoshte njerëzve të atij vendi. Gjithashtu është edhe një vend rritjeje shpirtërore për shenjtin pasi aty arrin të pajtohet plotësisht me veten e vet e fajet e tija. Një frat i shoqëroi ata në ambientet e shenjtërores gotike të Shën Jakut të Madh, duke iu shpjeguar edhe ndryshimet që ka pësuar gjatë viteve. Pastaj e kanë mbyllur shëtitjen ditore me vizitën në shenjtëroren e Shën Marisë së Forestës, e cila është e famshme për episodin me mrekullinë e verës.
Më 01 korrik fretërit kanë vazhduar itinerarin e tyre në shenjtëroren e Greccio-s, aty ku shën Françesku i ka dhënë jetë Betlehemit të parë. Bashkësia e fretërve ka kremtuar meshën në të ashtuquajturën shpellën e Betlehemit. Pasi kanë parë edhe Betlehemët e ardhur nga vende të ndryshme të botës ata janë kthyer në shenjtëroren e Fonte Colombo-s. Pasdite kanë vizituar atraksionet kryesore të Rietit. Të nesërmen janë përshëndetur me fretërit e Fonte Colombo-s dhe janë drejtuar për në La Verna ku kanë ngrënë drekë dhe janë akomoduar. Pasdite kanë marrë pjesë në procesionin e orës 15:00, i cili bëhet çdo ditë. Procesioni fillon në kishë me lutjen e orës së mesme, vazhdon te Kapela e Varrëve dhe përmbyllet po në kishë. Më pas kanë marrë pjesë në meshë, e pas meshës kanë vizituar vendet kryesore të kësaj shenjtëroreje, vend në të cilin shën Françesku ka marrë varrët e Krishtit. Itinerari i këtij peligrinazhi ka përfunduar me vizitën në La Verna. Më 03 korrik fretërit janë kthyer në eremin e Shën Marisë së Valdisasso-s, ndërsa të nesërmen në mëngjes kanë vizituar qytetin Fabriano. Pasdite janë përshëndetur me fretërit, janë larguar nga Italia dhe kanë mbërritur në Shqipëri. Më pas janë rikthyer në kuvendin e Shën Françeskut në Gjuhadol.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku