Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve

Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve ka një histori mbi njëqind vjeçare, në të cilën të krishterët nëpër mbarë botën kanë marrë pjesë në një oktavë lutjeje, qëllimi i së cilës është bashkimi i dukshëm i të krishterëve. Kjo Javë i ka fillesat e saj që në vitin 1908 dhe festohet mes datave 18-25 janar, ndërmjet festës së shën Pjetrit dhe shën Palit. Duke qenë një festë që festohet ndërkombëtarisht nga të krishterët, ajo në vende të ndryshme kremtohet në forma dhe mënyra të ndryshme.

 

Në Arqidioqezën Shkodër-Pult çdo vit në këtë Javë për bashkimin e të krishterëve organizohen dy takime lutjeje te kisha e Shën Françeskut në Gjuhadol dhe te kisha orthodhokse e Lindjes së Krishtit. Më 18 janar 2021në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 16:00 është lutur Mbrëmësorja, e cila u udhëhoq nga mons. Angelo Massafra. I pranishëm ishte edhe famullitari i kishës ortodokse At Nikolla Petani, i cili gjatë përshëndetjes vuri në dukje gjërat që na bashkojnë dhe kërkoi të lihen mënjanë gjërat që na ndajnë. Ai gjithashtu u lut që një ditë të gjithë të krishterët të ushqehen nga një Kungim i përbashkët.

 

Ndërsa me datën 20 janar 2021 është lutur Mbrëmësorja në orën 16:00 në kishën ortodokse. Atë e udhëhoqi At Nikolla. I pranishëm ishte edhe mons. Angelo, i cili këmbënguli në angazhimin e secilit për të dhënë fryte dashurie, paqeje dhe bashkëpunimi në të mirë të unitetit të Kishave. Të pranishëm ishin klerikë dhe besimtarë, të cilët u lutën së bashku për bashkimin e Kishave.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku