Festa e Shna Ndout

Shna Ndou i Padovës është një nga shenjtërit më të njohur në Kishën katolike. Shna Ndou, pajtor i sendeve të humbura, ishte frat françeskan me aftësi shumë të mira predikuese. Ai shpeshherë shfaqet në portrete të ndryshme duke mbajtur Krishtin femijë, një lule, një libër, ose të tria së bashku. Jeta e këtij shenjti është një paradigmë se si duhet të jetë jeta e çdo të krishteri; pra e forcuar me vullnet të qëndrueshëm për të përballuar uljet dhe ngritjes në jetë, dhe e pajisur me thirrjen e vazhdueshme për të dashur dhe falur. Shqipëria është një vend që e ka shumë për zemër këtë shenjt. Nëse përmendet emri “shna Ndue” çdo shqiptari do t’i shkonte mendja te kisha e kushtuar Shna Ndout në Laç. Të njohura janë 13 të martet e Shna Ndout gjatë të cilave besimtarë të shumtë frekuentojnë kishat që janë të kushtuara këtij shenjti ose që devocioni për të është i madh.  

 

Laç-Sebaste

Në Laç me datën 12 qeshor 2021 janë kremtuar gjashtë meshë. Para secilës meshë është lutur rruzarja, ndërsa pas meshës është bërë bekimi i besimtarëve. Gjatë tërë ditës ka qenë mundësia për t’u rrëfyer. Gjatë tërë ditës në kishën e Shna Ndout kanë mbërritur pelegrinë të shumtë. Gjatë momenteve të ndryshme pa pasur kremtime eukaristike. Kjo ditë kulmoi me meshën e kremtuar  nga ipeshkvi ndihmës imzot Arjan Doda në orën 22:00. Bashkëkremtues ishte Nunci Apostolik në Shqipëri imzot Luigi Butazzo. Imzot Doda ftoi besimtarët t’i hapin e zemrat e tyre dhe të lejojnë që të mbushen me paqen e Krishtit. Është kthyer edhe në një lloj tradite për disa besimtarë kalimi i natës në shenjtëroren e Shna Ndout. Më 13 qershor 2021 janë kremtuar shtatë meshë. Besimtarë të ardhur nga vende të ndryshme të Shqipërisë kanë qenë të pranishëm. Meshën e parë të orës 05:00 dhe të fundit në orën 18:30 i ka kremtuar zëvendës provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj. Në orën 07:00 meshoi famullitari i kishës së Shën Mëhillit fra Sokol Pepushaj. Në orën 09:00 mesha është udhëhequr nga arqipeshkvi imzot George Frendo, i cili ndër të tjera ftoi të meditojmë mbi rrugën e përshkuar nga shna Ndou, ideali i të cilit ishte gjithmonë ndjekja e Krishtit. I pranishëm ishte edhe kryegjyshi i bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Mesha në orën 11:00 u udhëhoq nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj. Ndërsa pasdite kremtuan zëvendës guardiani fra Ilia Kovačević (në orën 15:00) dhe rektori i kishës fra Prelë Gjurashaj (në orën 17:00).

 

Tiranë

Famullia e Shna Ndout në Tiranë ka kremtuar vigjiljen e shna Ndout në 20:00. Meshën e ka udhëhequr arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës imzot George Frendo. Bashkëkremtues ishte famullitari fra Flavio Cavallini. Në këtë meshe disa të rinj të famullisë kanë marrë sakramentin e krezmimit nga imzot Frendo. Ditën e shna Ndout mesha është udhëhequr nga Nunci apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazzi. Mesha është kremtuar në orën 10:00, ndërsa në orën 11:30 është bërë bekimi i fëmijëve. Bekimi është bërë nga fra Flavioja dhe imzot Luigi. Në meshë ishin të pranishëm shumë besimtarë të kësaj famullie, pajtori i së cilës është shna Ndou.

 

Tuz

Më 13 qershor 2021 mesha është kremtuar nga famullitari fra Mirash Marinaj në Tuz, ku ndodhet shenjtërorja dioqezane e Shna Ndout. Gjatë predikimit foli rreth madhështisë së këtij shenjti që vinte pikërisht prej thjeshtësisë së tij. Mesha u kremtua në orën 10:00. Pjesëmarrja e besimtarëve ishte shumë e madhe. Në fund të meshës është bërë edhe bekimi nga i popullit nga fra Mirashi.

 

Lezhë

Natën e shna Ndout është kremtuar mesha në orën 18:00 nga famullitari fra Valentin Rroku në kishën e Zojës Nunciatë. Mesha është kremtuar në oborrin e kishës për shkak të numrin të madh të besimtarëve kanë qenë të pranishëm. Në fjalën e tij fra Valentini ftoi që me të njëjtën vendosmëri si shna Ndou të shkojmë në ndjekje të Krishtit. Ndërsa të dielën janë kremtuar si rregullisht meshët në orën 08:00 dhe 11:00. Mesha e orës 08:00 është kremtuar nga fra Valentini, ndërsa mesha e orës 11:00 është kremtuar brenda në kishë nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës imzot Ottavio Vitale. Ndonëse kjo kishë nuk është e kushtuar shna Ndout, prapëseprapë devocioni ndaj këtij shenjti është shumë i madh.

 

Bajzë

Vigjilja e shna Ndout është kremtuar nga famullitari fra Ndue Toplana në kishën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Bajzë. Mesha është kremtuar në orën 18:00. Bashkëkremtues ishte edhe guardiani i kuvendit fra Vitor Demaj. Pjesëmarrja e besimtarëve ishte në numër të madh. Ditën e shna Ndout mesha është kremtuar si zakonisht në orën 11:00.

 

Gjuhadol

Meshët janë kremtuar si çdo të diel, në orën 08:30 dhe 18:00. Paradite meshën në kishën e Shën Françeskut e ka udhëhequr fra Gazmend Tinaj, i cili në predikimin e tij përmblodhi shkurtimisht jetën e shna Ndout duke cekur pikat kyçe, shumë prej të cilave duhet të jenë shembull për jetën tonë. Në fund të meshës u bë bekimi i popullit me reliken e shna Ndout. Në mbyllje fra Gazmendi theksoi se devocionet në përgjithësi, duke përfshirë edhe shna Ndoun, janë të mira për aq kohë sa na drejtojnë te Krishti. Mesha pasdite u kremtua nga fra Nunzio Catania.

 

Teksti: fra Lorenc Pepniku