Festa e Provincës Françeskane Shqiptare

Një ndër festat më të mëdha të Zojës së Bekuar është e kremtja e Lajmërimit të Zotit, e cila festohet më 25 mars. Urdhri françeskan që në zanafillën e tij ka pasur në nderim të posaçëm për Zojën e Bekuar. Kjo gjë pasqyrohet, ndër të tjera, edhe në faktin se pajtorja e krejt Urdhrit françeskan është Zoja e Papërlyer, festa e së cilës kremtohet më 8 dhjetor. Si vijueshmëri e këtij devocioni Provinca Françeskane Shqiptare në Shqipëri dhe Mal të Zi ka pajtore të veten pikërisht Zojën Nunciatë.

 

Mesha solemne është kremtuar më 25 mars 2021 në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 11:00. Ky kremtim i veçantë për Provincën françeskane është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës mons. George Frendo. Bashkëkremtues ishin arqipeshkvi i Tivarit mons. Rrok Gjonlleshaj, ipeshkvi i Dioqezës së Sapës mons. Simon Kulli, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit mons. Gjergj Meta, ipeshkvi ndihmës i Tiranë-Durrësit mons. Arjan Dodaj, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj si dhe shumë fretër e meshtarë të tjerë. Në fillim të meshës fra Pashku bëri një përshëndetje të shkurtër, ku ndër të tjera falënderoi ipeshkvijtë për praninë e tyre.

 

Mons. Frendo gjatë predikimit i ftoi të gjithë që të kërkojnë vazhdimisht ta kryejnë vullnetin e Zotit dhe t’i shërbejnë Atij. Gjithashtu ai theksoi se shembull për një gatishmëri të tillë është Zoja e Bekuar, e cila u hap krejtësisht ndaj planit të Hyjit dhe iu besua plotësisht Atij.

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku