Mesha në nder të Zojës Rruzare

Një ndër festat e Zojës, të cilën populli e kremton me devocion të madh është festa e Zojës Rruzare. Lutje kjo, që ka mbajtur dhe ushqyer besimtarët e krishterë të çdo kohe me ndjenjat e besimit dhe dashurisë ndaj Zotit dhe Kishës së tij. Lutja e Rruzares së shenjtë ka qenë një ndër traditat më të çmueshme të popullit tonë përgjatë shekujve. Ajo është bërë simbol bashkimi dhe armë kundër çdo të keqeje.

 

Më 07 tetor është kremtuar mesha te kisha e Zojës Rruzare tek Arra e Madhe në orën 18:00. Mesha është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult mons. Angelo Massafra. Në meshë bashkëkremtuan fretërit e bashkësisë së kuvendit të Zojës Rruzare, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj dhe guardiani i kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Aleksandër Tanushi. Në predikim mons. Angelo theksoi se rruzarja na ndihmon në marrëdhënien tonë me Zotin dhe me të tjerët. Gjithashtu ai ftoi që të lutet më shumë rruzarja pasi ajo na mundëson që të sodisim misteret e fesë sonë. Të pranishëm në meshë ishin edhe disa prej studentëve françeskanë nga kuvendi i Gjuhadolit, rregulltare të kongregatave të ndryshme dhe besimtarë të kësaj famullie.

 

Në fund famullitari fra Gazmend Tinaj falënderoi monsinjorin për udhëheqjen e meshës dhe të gjithë të pranishmit duke u uruar atyre çdo të mirë e bekim.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku