Variete muziko-letrare në Illyricum

Shoqnia kulturore “ILLYRICUM” - miq të shën Françeskut është shoqni e cila vepron prej shumë kohësh në qytetin e Shkodës, e që është pjesë e Provincës Françeskane Shqiptare. Që në fillimet e saj ajo ka sjellë shfaqje dhe koncerte të ndryshme me karakter fetar, kombëtar, letrar, historik, muzikor, si dhe argëtues.

 

Kjo shoqni ka mbledhur rreth vetes artistë që vijnë nga zona të ndryshme të trevave shqiptare, të cilët me vullnet, dëshirë dhe pasion kanë arritur të dhurojnë momente të këndshme dhe të bukura për të gjithë ndjekësit dhe shikuesit e tyre. Së fundi shoqnia “Illyricum” ka ardhur me një shfaqje artistike e cila ishte e pasur me një program me pjesë të ndryshme muziko-letrare.

 

Programi, i shfaqur më 11 tetor 2020 në oborrin e teatrit “Illyricum” në Shkodër, ka filluar në orën 18:00. Kjo shfaqje është organizuar nën kujdesin e përgjegjësit të Shoqnisë kulturore “Illyricum” fra Aleksandër Tanushi, në bashkëpunim me regjisorin Zef Ndoja dhe të gjithë anëtarët e kësaj shoqnie. Vërehet pasurimi i kësaj shoqnie me elemente të reja e të talentuara që i japin gjallëri të gjitha aktiviteteve artistike.

 

Në këtë shfaqje interpretuan

- këngëtarët: Gerald Lazri, Viola Shqau, Jolanda Gjeluci, Aron Troshani, Jozefina Guri, Briken Cara, Megi Toma dhe Meri Preçi,

- aktorët: Paulin Ujka, Tomazin Delija, Aleksandër Delija, Kristjan Ndoja, Armela Pjetri, Renato Pjetri, Albert Marku dhe Zef Ndoja,

- instrumentistët: Rafael Gurra – tastierë, Fation Tanazi – klarinetë, Gerald Lazri – kitarë dhe Zef Ndoja – kitarë. Në këtë shfaqje qenë të ndërthurura këngët, poezitë dhe barcaletat humoristike.

 

Në fund të saj fjalën e mori fra Aleksandri, i cili falënderoi të gjithë anëtarët e shoqënisë për performancat e tyre si dhe të gjithë të pranishmit për praninë dhe mbështetjen e tyre.

 

Për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të jenë të pranishëm, shfaqja u transmetua drejtpërdrejt nga televisioni Star Plus TV.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Studio Nënshati