Ushtrimet shpirtërore për fretërit e rinj

Ushtrimet shpirtërore janë një praktikë e veçantë për të gjithë të kushtuarit nëpër botë. Gjatë ushtrimeve personat kanë mundësi të largohen pak nga rutina e përditshme dhe të bëjnë një shqyrtim të asaj që po ndodh në jetën e tyre, qoftë bekimet e të mirat qoftë edhe vështirësitë e problemet me të cilat ndeshen, sigurisht duke lënë hapësirë për të ndryshuar ose përmirësuar diçka.

 

Ushtrimet e sivjetshme shpirtërore të fretërve të rinj (të shtëpive formuese të noviciatit dhe klerikatit) të Provincës Françeskane Shqiptare janë mbajtur në Bajzë. Ato kanë filluar pasditen e së dielës më 30 gusht 2020 dhe kanë mbaruar të premten më 04 shtator 2020. Udhëheqësi i këtyre ushtrimeve ishte asistenti i Ministrit Gjeneral OFM në Shqipëri fra Lovro Gavran. Në ushtrime morën pjesë novicët, klerikët dhe mësuesit e tyre. Hapja e ushtrimeve shpirtërore është bërë me këndimin e Ndjekësores së Shpirtit Shenjt dhe me një prezantim të shkurtër të temave që janë trajtuar gjatë ushtrimeve. Pastaj gjatë javës fra Lovroja ka cekur çështjen e thirrjes së Zotit dhe mënyrën se si ne i përgjigjemi asaj. Gjithashtu një element tjetër i rëndësishëm që i është kushtuar shumë vëmendje janë tri kushtet rregulltare: dëgjesa, varfëria dhe pastërtia, kjo pasi në vetvete këto ushtrime janë programuar që t’u vijnë në ndihmë fretërve të rinj për të qenë të vetëdijshëm mbi vlerën dhe rëndësinë e kushteve që do të marrin ose që do të ripërtërijnë në vazhdimësi.

 

Gjatë krejt ushtrimeve fretërve të rinj u është ofruar mundësia për biseda të ndryshme, këshilla, rrëfim etj. Gjithashtu gjatë meshëve dhe lutjeve fretërit kanë ndihmuar me leximet dhe këngët.

 

Një moment i veçantë i këtyre ushtrimeve ka qenë ripërtëritja e kushteve të përkohshme. Fretërit që kanë bërë ripërtëritjen e kushteve janë: fra Kolë Thaqi, fra Anton Selitaj, fra Tomë Bushpreni, fra Sergjo Jaku, fra Driton Hajdaraj, fra Valentin Tinaj dhe fra Kristjan Camaj. Riti i ripërtëritjes së kushteve është udhëhequr nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj. Gjatë homelisë fra Aureli dha disa këshilla të vyera lidhur me pastërtinë dhe sinqeritetin e zemrës si mjet për të qenë të qëndrueshëm gjatë gjithë jetës në shërbimin e të tjerëve sipas shembullit të Jezu Krishtit.

 

Ushtrimet shpirtërore janë mbyllur paraditen e datës 04 shtator me rruzaren e shenjtë dhe këndimin e këngës “Lavd e nder të qoftë o Zot” si falënderim për mbarëvajtjen dhe ecurinë e mirë  të ushtrimeve shpirtërore. Në fund patëm drekën vëllazërore të gjithë së bashku.

 

Teksti: fra Lorenc Pepniku

Fotot: fra Tomë Bushpreni & fra Lorenc Pepniku