Në lutje për Krijimin me shën Françeskun dhe shën Kjarën

Duke u bazuar në enciklikën “Laudato Si’” të papa Françeskut dhe duke u nxitur nga ftesa që bënte gjithmonë shën Françesku i Asizit për të mbrojtur natyrën është organizuar një rrugëtim shpirtëror, kulturor dhe formativ i quajtur “Ti qofsh lëvduar”. Krejt muaji shtator i është kushtuar mbrojtjes së Krijimit.

 

Gjatë këtij muaji janë menduar të organizohen disa takime, të cilat për shkak të motit të paqendrueshëm janë anuluar. I vetmi që është zhvilluar është takimi përmbyllës i këtij muaji, i cili është mbajtur më 26 shtator 2020 në kishën e Shën Kjarës te motrat klarise në Shkodër. Takimi ka filluar në orën 17:00 dhe gjatë tij pjesëmarrësve u është dhënë mundësia të dëgjojnë disa pjesë të shkëputura nga Fontet françeskane si dhe disa këngë që lidhen me figurën e Varfanjakut të Asizit.

 

Ky takim është udhëhequr nga përgjegjësi për Zyrën “Drejtësi, Paqe dhe Integritet i Krijimit” fra Sokol Pepushaj OFM. Në fund të takimit janë shpërndarë disa broshura në të cilat gjendet dekalogu i mjedisit – dhjetë urdhërime për mbrojtjen e mjedisit.

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku