Takimi online i fretërve

Situata e krijuar në botë që nga fillimi i pandemisë ka bërë që shumë aktivitete ose takime të ndryshme të pezullohen. Në këtë situatë janë kërkuar mënyrat më të përshtatshme për t’i realizuar këto takime, dhe ajo më e përdorura gjatë kësaj periudhe ka qenë përmes lidhjeve direkte në rrjetet sociale ose në faqet e ndryshme të vendosura në dispozicionin e përdoruesve që ndodhen të shpërndarë nëpër mbarë botën.

 

Një nismë të këtillë e ka ndërmarrë edhe Kuria Gjenerale OFM në bashkëpunim me Sekretarinë për formimin dhe studimet dhe Zyrën DPIK (Drejtësi, Paqe dhe Integritet i Krijesës). Qëllimi i kësaj nisme është të zhvillohet një takim online, i cili synon të bashkojë të gjithë ata që bëjnë pjesë në formimin fillestar (aspirantë, postullantë, novicë, fretër me kushte të përkohshme, si dhe fretër që tashmë janë me kushte të përjetshme e po përgatiten për shërbesën meshtarake). Objektivi ishte që të thellohet propozimi që papa Françesku u ka bërë të gjithë të krishterëve, por veçanërisht françeskanëve, me enciklikën e tij Laudato Si’. Takimi është mbajtur më 19 shtator 2020 dhe ka zgjatur përafërsisht një orë. Gjithashtu ky takim është zhvilluar përmes platformës “Zoom”.

 

Në enciklikën e tij Laudato Si’ papa Françesku fton të gjithë njerëzit të reflektojnë veçanërisht mbi ambientin ku ata jetojnë, si atë natyror po ashtu edhe atë shoqëror. Ndër të tjera papa dënon disa nga fenomenet negative që njerëzit po i sjellin krejt krijimit, në veçanti natyrës. Papa me anë të fjalëve të shën Françeskut u bën thirrje të gjithëve që të tregohemi më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm me veprimet tona në mënyrë që mos të dëmtojmë atë që na rrethon.

 

Të pranishëm në takim ishin të rinjtë e lartpërmendur që bëjnë pjesë në formimin fillestar, mësuesit e shtëpive formuese të ndryshme, përfaqësues nga Sekretaria për formimin dhe studimet e Zyra DPIK dhe Ministri Gjeneral OFM fra Michael Anthony Perry. Ndër fretërit që kumtuan gjatë takimit ishin fra Cesare Vaiani, fra Siniša Balajić etj., ndërsa në fund referoi fra Michaeli.

 

Teksti dhe fotot: fra Lorenc Pepniku