Bekimi i trupores së shna Ndout

Që në shkurt të vitit 2019 bashkësia e fretërve françeskanë në Lezhë ka shpallur në kishën e Zojës Nunciatë idenë për të realizuar një trupore të shna Ndout, të cilën do ta vendosnin pikërisht në oborrin e kësaj kishe. Këtë gjë e kanë menduar duke u nisur nga devocioni madh që populli i Lezhës ka për shna Ndoun. Dhe kisha e Zojës Nunciatë në të gjitha të martet e vitit, por kryesisht në të martet kushtuar shna Ndout mbushet me shumë besimtarë.

 

Truporen e kanë porositur në Megjugorje. Truporja është e gjatë 118 cm, peshon 60 kg, dhe është e përbërë prej bronzit. Autori i trupores, i quajtur Anto Jurkiq, është skulptor akademik nga Kroacia.

 

Pasi kanë bërë porosinë kanë filluar që të kërkojnë lëmosha në famulli. Edhe pse në mars u mbyllën të gjitha kishat dhe lëvizja e njerëzve për shkak të pandemisë, besimtarët vijuan t’i ndihmojnë për realizimin e këtij projekti.

 

Njeti i tyre u plotësua falë shna Ndout, pasi u arrit shuma e të hollave nga besimtarët e famullisë. Zoti i bekoftë besimtarët për ndihmesën e tyre!

 

Me datën 10 tetor 2020 truporen e solli nga Megjugorje z. Branko Dugandžić i shoqëruar nga tre persona të tjerë. Truporja e shna Ndout ka dalë shumë e bukur.

 

Pastaj, me datën 1 nëntor 2020, ditën e të gjithë Shenjtërve, pas meshës së orës 8:00 u bë bekimi i trupores së shna Ndout. Kanë ndërtuar bazamentin ku kemi vendosur truporen. Bazamenti është krejt prej guri. Truporen e bekoi famullitari dhe guardiani fra Vitor Demaj. Të pranishëm ishin edhe fretërit e bashkësisë së kuvendit të Zojës Nunciatë. Morën pjesë një numër i madh besimtarësh. Përpara bekimit fra Vitori falënderoi të gjithë famullinë dhe bamirësit që bënë të mundur realizimin e kësaj vepre të mrekullueshme.

 

Kisha e Zojës Nunciatë ka disa devocione të veçanta, devocionin ndaj Zojës dhe devocionin ndaj të lumit Serafin Koda, që e dha jetën si martir i Krishtit gjatë torturave nga komunistët në mjediset e kishës së Zojës Nunciatë.  Në mënyrë të posaçme kisha e Zojës Nunciatë ruan një devocion e një nderim të veçantë për shna Ndoun. Të marteve të shna Ndout shkojnë shumë njerëz nga famullitë e ndryshme të Dioqezës së Lezhës dhe të Sapës për të nderuar këtë Shenjt. Por edhe në të marte të zakonshme frekuentohet prej një numri të mirë besimtarësh.

 

Në fund famullitari ia besoi ndërmjetësisë së shna Ndout famullinë e në mënyrë të veçantë u kërkua ndërmjetësia e shna Ndout për largimin e pandemisë, mbrojtjen e familjeve tona dhe largimin nga çdo e keqe.

 

Teksti i përgatitur: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Gjergj Deda