Shna Ndou gjatë pandemisë

Një ndër shenjtërit që populli shqiptar e ka shumë përzemër është Shna Ndou. Shenjti iu përgjigj thirrjes së Zotit që në rininë e tij duke u bashkuar me etërit augustinianë në Lisbonë. Pasi dëgjoi për martirët e parë françeskanë që kishin dhënë jetën e tyre për Krishtin, atij i lindi dëshira për t’u bërë frat françeskan. Ai hyri në Urdhrin françeskan dhe më pas shkoi në Itali ku u dedikua lutjes, leximit dhe meditimit të Fjalës së Zotit. Shna Ndou ishte i pasur me shumë dhurata, ku ndër të tjera ishte shumë i mirë në shtjellimin e Ungjillit dhe në oratori. Kjo u dallua sidomos te një mbledhje ku askush nuk ishte përgatitur për të folur, dhe aty fra Ndou i përvuajtur bëri një fjalim magjepsës që i habiti të gjithë të pranishmit. Shna Ndou gjithë jetën e tij e kaloi në pastërti, dëgjesë dhe varfëri duke zbatuar plotësisht Ungjillin e Zotit. Ai vdiq në Padova më 13 qershor 1231, dhe pa mbushur një vit nga vdekja e tij ai u shpall shenjt nga Kisha katolike. Shumë njerëz nëpër botë duke përshirë edhe krejt shqiptarët, e nderojnë këtë shenjt të mrekullive, i cili është bërë ngushëllim për jetën e tyre, pasi nëpërmjet tij është shfaqur dashuria e madhe që ka Zoti për popullin e tij.

 

Në Shqipëri figura e këtij shenjti lidhet me 13 të martet që i janë kushtuar atij. Këto të marte janë kthyer në një traditë për shumë shqiptarë, të cilët gjatë kësaj periudhe vizitojnë kishat që i janë kushtuar këtij shenjti ose që kanë zhvilluar një devocion për të. Kisha më e vizituar nga besimtarët katolikë dhe jo vetëm është ajo e Shna Ndout në Laç, ku shumë njerëz kanë marrë hire të shumta nga Zoti në këtë vend. Çdo vit te kjo kishë shkojnë turma të mëdha njerëzish, por këtë vit për shkak të pandemisë numri i personave që e kanë vizituar nuk ka qenë shumë i lartë. Fatmirësisht masat lehtësuese që erdhën më vonë iu dhanë mundësinë besimtarëve nëpër tërë botën të merrnin pjesë në kremtimin e festës së këtij shenjti. Provinca Françeskane Shqiptare ka disa kisha, kuvende e famulli, të cilat i janë kushtuar Shna Ndout. Ndër të tjera tre kuvende dhe famulli (në Laç, Tuz dhe Tiranë), dhe dy kisha (kisha e Shën Françeskut në Shkodër dhe kisha e Zojës Nunciatë në Lezhë), në të cilat ka një devocion të madh ndaj këtij shenjti.

 

 

Laç

 

Në kishën e Shna Ndout në Laç më 12 qershor 2020 janë kremtuar gjashtë meshë, të cilat janë udhëhequr nga fretërit që shërbejnë në këtë kishë, fra Mirash Marinaj dhe fra Fran Përlala, fretërit e kishës së Shën Mhillit  në Laç, fra Sokol Pepushaj dhe fra Ndue Toplana, dhe nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj. Mesha solemne është kremtuar në orën 22:00 nga famullitari i kësaj kishe, fra Mirash Marinaj, i cili ftoi besimtarët që të sodisin jetën e Shna Ndout dhe të ndjekin hapat e këtij shenjti në rrugën e bashkimit me Krishtin. Ndërsa me datën 13 qershor janë kremtuar shtatë meshë, ku dy prej tyre janë udhëhequr nga ipeshkvi i emëruar i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës mons. Arjan Doda dhe kancelari i Arqidioqezës Shkodër-Pult dom Artan Seli. Gjatë këtyre datave pas çdo meshe është bërë bekimi i besimtarëve dhe lutja drejtuar Shna Ndout. Gjithashtu është për t’u vlerësuar edhe bashkëpunimi i policisë lokale, e cila ka qenë e gatshme për ruajtjen e sigurisë së  besimtarëve.

 

Tiranë

 

Më 12 qershor është kremtuar mesha në kishën e Shna Ndout në Tiranë në orën 21:00. Mesha është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës mons. George Frendo. Bashkëkremtuan në meshë fra Flavio Cavallini dhe fra Prelë Gjurashaj. Mons. Frendo në fjalën e tij theksoi: “Duhet të vërejmë se si Zoti e ka thirrur Shna Ndoun për të qenë afër tij, dhe ashtu siç Shna Ndout i është përgjigjur thirrjes së Zotit, ashtu duhet të veprojmë edhe ne”. Në përfundim të meshës ka qenë procesioni deri te truporja e Shna Ndout së bashku me litanitë. Këtë mbrëmje gjithashtu është bërë bekimi dhe hapja e Bibliotekës “Shna Ndou” në ambientet e kishës.

Ndërsa me datën 13 qershor është kremtuar mesha në orën 18:00. Kjo meshë i është kushtuar të gjithë fëmijëve dhe të rinjve të kësaj famullie.

 

Tuz

 

Në kishën famullitare të Tuzit më 12 qershor është kremtuar mesha e shenjtë në orën 17:00, e cila është udhëhequr nga famullitari i kësaj kishe, fra Pashko Gojçaj, ndërsa bashkëkremtues ishte fra Kolë Mitri. Në këtë meshë morën pjesë një numër i konsiderueshëm i besimtarëve të devotshëm. Me datën 13 qershor mesha solemne u kremtua në orën 18:00. Ajo u udhëhoq nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, ndërkohë që bashkëkremtuan fra Pashko Gojçaj, fra Fran Dushaj dhe dom Nosh Gjolaj. Gjatë predikimit të tij fra Aureli me fjalë të thjeshta bëri lidhjen e jetës së Shna Ndout të atëhershëm me jetën tonë sot, si dhe shpjegoi rëndësinë e vitin që jemi tani pasi është 800-vjetori i thirrjes së Shna Ndout. Ndryshe nga vitet e tjera për shkak të situatës jo krejtësisht të qëndrueshme të pandemisë bekimi i fëmijëve nuk është bërë. Por pas meshës ka qenë një darkë e thjeshtë njerëzit më të afërt të famullisë dhe Këshillin Pastoral.

 

Shkodër

 

Në kishën e Shën Françeskut në Shkodër ndër vite është zhvilluar një devocion shumë i madh ndaj Shna Ndout, dhe kjo gjë duket veçanërisht në të martet e Shna Ndout, gjatë të cilave numri i besimtarëve që marrin pjesë në kremtimet liturgjike rritet ndjeshëm. Më 12 qershor në këtë kishë janë kremtuar tri meshë: në orën 07:00, 19:00 dhe në 22:00, ku kjo e fundit u karakterizua nga një numër relativisht i madh personash, të cilët kishin ardhur për të kërkuar ndërmjetësinë e Shna Ndout për nevojat e tyre. Kjo meshë u udhëhoq nga guardiani i kuvendit të Shën Françeskut, fra Aleksandër Tanushi. Më 13 qershor në mëngjes ishin dy meshë, ndërsa pasdite në orën 17:00 ishte bekimi i fëmijëve, i bukës së Shna Ndout dhe më pas në orën 19:00 mesha solemne.

 

Lezhë

 

Kisha e Zojës Nunciatë është një kishë mjaft e vjetër, e cila mendohet se është ndërtuar në fillimet e ardhjes së françeskanëve në territoret shqiptare. Ndonëse kjo kishë i është kushtuar Nënës së Zotit, ajo prapëseprapë gjithmonë ka kultivuar në zemrat e besimtarëve një devocion të veçantë për Shna Ndoun. Ajo madje në disa periudha të caktuara njihet si kisha e Shna Ndout. Më 12 qershor mesha solemne kushtuar Shna Ndout është kremtuar në orën 20:00 në oborrin para kishës. Atë e ka udhëhequr famullitari i kësaj kishe fra Vitor Demaj. Ndërsa me datën 13 qershor në mëngjes kanë qenë dy meshë: në orën 08:00 dhe 11:00. Pasdite në orën 18:00 ka qenë bekimi i fëmijëve dhe i bukës së Shna Ndout.

 Përgatiti: Fra Lorenc Pepniku