Shërbesa e Akolitatit

Rruga që përshkon një person i kushtuar deri tek shugurimi meshtarak kalon nëpër disa faza të ndryshme formuese. Një hap i rëndësishëm në këtë rrugëtim është bërja e shërbesës së Akolitatit, që së bashku me Lektoratin përbëjnë atë që më përpara quhej Subdiakonat. Kjo shërbesë i jep mundësinë akolitit të kryejë disa shërbime të veçanta.

 

Më 21 tetor 2020 në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol është kremtuar Mesha e shenjtë, gjatë së cilës fra Kastriot Demaj, fra Jak Kolgjeraj, fra Kristjan Camaj dhe fra Valentin Tinaj kanë marrë shërbesën e Akolitatit. Mesha e kremtuar në orën 18:30 është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult mons. Angelo Massafra. Bashkëkremtues ishin provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj, fretërit e bashkësisë së Gjuhadolit dhe fretërit e bashkësisë së kishës së Shna Ndout në Laç.

 

Riti i marrjes së shërbesës së Akolitatit është bërë pas predikimit. Gjatë predikimit mons. Angelo këshilloi akolitët e rinj dhe ata që ishin të pranishëm që të ruajnë shpirtin e gatishmërisë në shërbim të të tjerëve. Gjithashtu theksoi se duhet të kuptojnë rëndësinë e vërtetë të gjërave të shenjta dhe ndikimin që kanë ato tek të gjithë ne.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Tomë Bushpreni