N’ty mendoj

80-vjetori i vdekjes së Át Gjergj Fishtës

Vitin 2020 mund ta quajmë “VITI I ÁT GJERGJ FISHTËS”, figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si “poet kombëtar” dhe “Homeri shqiptar”, Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në vitin 1944, ku jo vetëm veprat, por edhe vetëm përmendja e emrit të tij ishte e ndaluar për shqiptarët. E kjo zgjati për katërdhjetë e gjashtë vjet, deri në vitin 1990.

 

Në bashkëpunim të Shoqnisë kulturore “ILLYRICUM”, miq të shën Françeskut dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nën kujdesin e rektorit prof. dr. Adem Bekteshi dhe asistentit fra Aleksandër Tanushi, në muajin shkurt 2020 filluan përgatitjet e një teatri poetik me vargje nga At Gjergj Fishta, nën regjinë dhe bashkëpunimin mes dr. Gëzim Pukës, Paulin Ujkës e Zef Ndojës, si përkujtim i jetës dhe i veprës së Fishtës, në 80-vjetorit e vdekjes, të titulluar “N’TY MENDOJ…”.

 

Por për shkak të pandemisë Covid-19, ku vendi ynë, por edhe një pjesë e madhe e globit  hyri në izolim si formë parandaluese nga infektimi i këtij virusi, u bë e pamundur realizimi teatral i këtij aktiviteti. Por as pandemia nuk i ndali studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe anëtarët e Shoqnisë “Illyricum” për të mos përkujtuar françeskanin dhe poetin e kombit At Gjergj Fishtën, pasi  në formën e video-montazhit, të mundësuar edhe nga pedagogu i gazetarisë Ardi Hoti, disa prej lirikave më të zgjedhura të Fishtës u interpretuan nga këta aktorë e këngëtarë të rinj ku përmes transmetimit në televizion, të dielën më 3 maj 2020, në Star Plus TV dhe TV1 Channel, iu ofrua ky aktivitet përkujtimor i Fishtës qytetarëve të vendit. Këtij aktiviteti i parapriu një biografi e shkurtër nga prof. dr. Alfred Çapaliku.

 

AKTORËT:

Zef Ndoja, Anxhela Taravari, Samila Et’hemi, Laura Kasteri, Desara Kerjota, Malvina Tahiri, Dajana Gegaj, Elsa Shpella, Erind Kopliku, Paulin Ujka, Xhesika Dedi, Marseda Tahiri, Nanda Taramani, Enisa Taramani, Klea Grizhja, Tomazin Delija

 

KËNGËTARËT:

Lukë Mllugja, Emanuela Nçaj, Aurela Mosheqaj

©Illyricum