Jubileu i Marie Tucit

Marie Tuci është një figurë e veçantë që përcjell një mesazh të fortë dhe domethënës për të gjithë ne. Ajo me jetën e saj dëshmoi më së miri fuqinë e fesë së krishterë, e cila nuk shuhet as në momentet më të vështira. Marie Tuci është e vetmja vajzë në listën e 38 martirëve shqiptarë të shpallur të lumë më 05 nëntor 2016 në Shkodër. Këtë vit kemi festuar 70-vjetorin e kalimit në amshim të Marie Tucit (1950-2020). Ky vit jubilar është hapur nga mons. Angelo Massafra më 24 tetor 2019, dhe përgjatë krejt vitit një herë në çdo muaj është kremtuar Mesha e shenjtë në nder të Maries. Ky vit është kurorëzuar me Treditëshin e së lumes Marie Tucit, i cili ka përshkuar datat 22, 23 dhe 24 tetor 2020.

 

Më 22 tetor është kremtuar Mesha e shenjtë në orën 08:30 nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj. Menjëherë pas Meshës është ekspozuar për adhurim i Shenjtërueshmi Sakrament. Adhurimi ka vazhduar deri pasdite e më pas është mbyllur me lutjen e Mbrëmësores në orën 16:00.

 

Më 23 tetor është organizuar një konferencë e pasur me dokumentarë, ligjërime e këngë. Konferenca është mbajtur në kishën e Shën Bonaventurës tek motrat stigmatine në orën 16:00. Moderatori i saj ishte fra Aurel Gjerkaj. Hapjen e konferencës e bëri mons. Angelo Massafra, i cili gjatë përshëndetjes së tij ftoi të pranishmit të reflektonin mbi qëndresën e palëkundshme të Maries përballë armikut, qëndresë e cila duhet të na shërbejë si shembull për veprimet që bëjmë në jetën e përditshme. Menjëherë pas Monsinjorit vazhdoi sekretarja e Këshillit Gjeneral të motrave stigmatine, motër Dukate Radoja, e cila prezantoi në mënyrë të përmbledhur historinë e themelimit të motrave stigmatine si dhe misionin dhe shërbimin e tyre pas vendosjes në Shqipëri. Pastaj ndoqi kënga “Martire për fe” e ekzekutuar nga kori polifonik “Prenkë Jakova”. Më pas një frat kapuçin bëri promovimin e librit “Shërbimi amënor i mëshirës” të atë Pier Giorgo Taneburgo, OFMCap. Një moment tjetër i veçantë ishte këndimi dhe interpretimi i këngës “Dashuri e patregueshme” nga Rinia Hajmel-Nënshat. Më pas u shfaq një dokumentar i përgatitur nga Ergys Kavaja me titullin “Falënderoj Zotin që po vdes e lirë”. E në fund konferenca u përmbyll me ekzekutimin e “Valles së Shqipes” nga Rinia e famullisë së Shën Shtjefnit.

 

Ndërsa në ditën e fundit të këtij jubileu u kremtua Mesha e shenjtë në orën 10:00 në kishën e motrave stigmatine. Mesha u udhëhoq nga ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit mons. Gjergj Meta. Bashkëkremtuan edhe ipeshkvi i Dioqezës së Sapës mons. Simon Kulli, fra Aurel Gjerkaj e shumë meshtarë të tjerë. Në meshë ishin të pranishëm edhe disa nga të afërmit e martires Marie Tucit. Gjatë predikimit mons. Gjergji tha se martirizimi nuk ndahet në kategori ose klasa, por gjithkush që e dëshmon Krishtin është martir i vërtetë. Dhe ka qenë pikërisht feja që i ka dhënë forcë Maries dhe martirëve të tjerë për t’u përballur me martirizimin.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku