Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve

Në kishën e “Shën Françeskut” në Gjuhadol, me datën 20 janar 2020 u zhvillua lutja e mbrëmësores për bashkimin e të krishterëve dhe pajtimin në botë. Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve është një lëvizje ekumenike, e cila ka si objektiv zhvillimin e aktiviteve ose takimeve të ndryshme mes të krishterëve, pikërisht për bashkimin e tyre.

 

Edhe në Shqipëri është shndërruar në një traditë kjo Javë. Thuajse çdo vit lutet mbrëmësorja në ambientet e kishës së Shën Françeskut si dhe në atë të Lindjes së Krishtit, e cila i përket ortodoksëve.

 

Lutja filloi në orën 18:00 dhe atë e kremtoi mons. Angelo Massafra, ipeshkvi i Arqidioqezës së Shkodër-Pultit. I pranishëm ishte edhe famullitari i kishës ortodokse “Lindja e Krishtit” në Shkodër, Àt Nikolla Petani. Të pranishëm ishin meshtarë, motra, fretër si dhe mjaft besimtarë të cilët vit pas viti ndjekin me kujdes takimet e ndryshme ekumenike që zhvillohen në vendin tonë.

 

Mbas leximit të ungjillit, mons. Angelo Massafra foli mbi udhëtimin e shën Palit kur arriti për herë të parë në ishullin e Maltës, ku në këtë ishull të vogël u dallua shumë  mikpritja e atyre banorëve që ishin aty, kurse Àt Nikolla tha që ne të krishterët duhet të jemi të parët që të veprojmë për bashkimin mes nesh, duke marrë parasysh atë që kemi të përbashkët - Jezu Krishtin.

 

Një ndër porositë e veçanta që na lihet gjatë kësaj jave është të lutemi për paqen mes të krishterëve, por ajo çka është më e rëndësishmja: për bashkimin e tyre. Por lutja duhet të shoqërohet me vepra, pasi ne vetë duhet të kontribuojmë në arritjen e këtij qëllimi që aq shumë e dëshirojmë. 

Fra Anton Selitaj