Festa e Varrëve të shën Françeskut

Një ngjarje e rëndësishme në jetën e shën Françeskut të Asizit ka qenë marrja e varrëve të shenjta në malin La Verna, pak kohë para vdekjes së tij. Sipas Burimeve françeskane tregohet se shën Françesku i mori këto varrë në vitin 1224 nga një serafin me gjashtë krahë. Pikërisht këtë ngjarje Kisha katolike e feston më 17 shtator.

 

Në Shqipëri kjo festë është e veçantë posaçërisht për motrat Stigmatine, të cilat mbajnë emrin e varrëve (stigmave) të shenjta. Kjo festë është ndarë në dy momente kryesore. Më 16 shtator 2020 në kishën e motrave stigmatine në Shkodër ka qenë adhurimi i të Shenjtërueshmit Sakrament së bashku me lutjen e Mbrëmësores. Udhëheqësi i kësaj liturgjie ishte fra Gazmend Tinaj.

 

Pastaj ditën tjetër, më 17 shtator, është kremtuar mesha solemne e udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult mons. Angelo Massafra. Mesha është kremtuar në orën 17:00 po në kishën e motrave stigmatine. Bashkëkremtues ishin meshtarë françeskanë e dioqezanë nga kjo Arqipeshkvi. Gjithashtu të pranishëm ishin rregulltarë, rregulltare e besimtarë të devotshëm të Varfanjakut të Asizit, të cilët janë gjithmonë pranë françeskanëve. Ungjilli u lexua nga fra Gazmend Tinaj, ndërsa predikimin e bëri mons. Angelo. Ndër të tjera ai u ndal në disa momente shumë të rëndësishme të jetës së shën Françeskut, kryesisht që lidhen me kryqin i cili është pikënisja e rrugëtimit të tij (kryqi në kishën e Shën Damianit) dhe përfundimi (serafini me gjashtë krahë që ndodhej në kryq nga i cili mori stigmat). Gjithashtu mons. Angelo i ftoi të gjithë që, ashtu si shën Françesku i Asizit, të ndjekin Jezu Krishtin në thjeshtësi e përvujtëri.

 

Në fund të meshës monsinjori uroi motrat për festën e kongregatës së tyre si dhe të gjithë të pranishmit.  

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku