Dita kushtuar Jetës Rregulltare

Me datën 2 shkurt, Kisha feston kushtimin e Krishtit në tempull. Kjo festë lidhet me dërgimin e Jezusit në tempull për t’ia kushtuar Zotit, ngjarje e cila përshkruhet në ungjillin sipas Lukës. Në tempull Maria dhe Jozefi gjejnë Simonin dhe Anën të cilët kanë mundësinë ta kundrojnë foshnjën e vogël. Vitet e fundit festës së kushtimit të Jezusit në tempull i është shtuar një festë tjetër, e cila merr kuptim nga vetë festa e kushtimit të Jezusit. Bëhet fjalë për ditën kushtuar Jetës Rregulltare (festa e të kushtuarve), e cila është themeluar nga papa Gjon Pali II në vitin 1997. Ajo festohet në vende të ndryshme të botës dhe në një farë mënyre është një ditë në të cilën duhet të falënderojmë Zotin për të gjithë të kushtuarit në Kishë, si dhe të lutemi për thirrje të reja. Edhe në Shqipëri pothuajse secila dioqezë ka festuar ditën kushtuar Jetës Rregulltare, të shtunën më 1 shkurt 2020, në forma dhe mënyra të ndryshme.

 

Në Arqipeshkvinë e Shkodër-Pultit dita e rregulltarëve është organizuar në ambientet e Seminarit ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”. Aty u mblodhën së bashku mons. Angelo Massafra, arqipeshkvi i kësaj arqidioqeze, me shumë rregulltarë e rregulltare, të cilët bëjnë pjesë në këtë arqipeshkvi. Takimi filloi në orën 15:30 me lutjen e orës së mesme. Pas lutjes u mbajt një ligjëratë e shkurtër nga fra Prelë Syla OFMCap, i cili foli mbi jetën e kushtuar si dhe vështirësitë dhe problematikat që ndesh ajo në ditët e sotme. Pastaj në orën 17:00 në kapelën e seminarit pati për pak kohë adhurim të të Shenjtërueshmit Sakrament. Më vonë vijuan me Meshën e shenjtë, të cilën e udhëhoqi mons. Angelo. Bashkëkremtuan fra Aurel Gjerkaj, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, atë Artan Seli, kancelari i Arqidioqezës së Shkodër-Pultit, si dhe meshtarë të tjerë dioqezanë e rregulltarë. Pas meshës ishte organizuar një darkë vëllazërore, ku u bashkëndanë gjërat që ishin përgatitur me shumë dashuri nga çdo bashkësi rregulltare.

 

Në Dioqezën e Lezhës takimi u mbajt në katedralen e Shën Nikollës. Ai filloi në orën 15:30 në ambientet e kishës ku disa nga kongregatat që veprojnë në këtë dioqezë folën pak mbi formimin e kongregatës së tyre duke e lidhur ngushtë edhe me jetën e themeluesit ose themelueses së tyre. Më pas në orën 17:00 u kremtua Mesha e shenjtë nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, mons. Ottavio Vitale. Mesha filloi me një procesion, në të cilin morën pjesë edhe rregulltarët dhe rregulltaret e dioqezës, por edhe një pjesë të Dioqezës së Rrëshenit. Në meshë bashkëkremtuan edhe shumë meshtarë nga të dyja dioqezat, dhe ndihmuan me shërbimet novicët françeskanë së bashku me disa seminaristë. Gjatë predikimit mons. Ottavio foli mbi bukurinë e të qenurit pjesë e jetës rregulltare si dhe falënderoi të gjithë për punën e tyre në këtë dioqezë.

 

Në Arqidioqezën e Tiranë-Durrësit janë festuar njëkohësisht dy festa. Bashkëngjitur ditës kushtuar Jetës Rregulltare ka qenë edhe takimi i radhës i Sinodit dioqezan, i cili është thirrur nga arqipeshkvi i kësaj arqidioqeze, mons. George Frendo. Kjo ditë ka filluar me disa momente adhurimi të udhëhequra nga një anëtar i Urdhrit të dominikanëve dhe të animuara nga motrat saleziane në bashkëpunim me rininë saleziane. Gjatë adhurimit një pjesë e laikëve dhe rregulltarëve kanë vazhduar me seancën e radhës të Sinodit dioqezan. Pas takimit ka vazhduar procesioni nga oborri i katedrales së Shën Palit për të filluar më pas meshën. Në këtë procesion morën pjesë shumë rregulltarë e rregulltare, të cilët mbanin qirinjtë e ndezur në duar. Më pas vazhdoi mesha, e cila u udhëhoq nga mons. George, i cili foli mbi dhuratën e të qenurit i thirrur nga Zoti dhe lumturinë e të qenurit i kushtuar. Në meshë bashkëkremtuan meshtarë të urdhrave dhe rregullave të ndryshme. Pas meshës ishte një moment vëllazëror me të pranishmit.

 

Teksti i përgatitur: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Aurel Gjerkaj, Arqidioqeza Tiranë-Durrës