Bekimi i figurave të fretërve martirëve

Më 05 nëntor 2020, në përkujtimin liturgjik të imzot Vinçenc Prennushit me 37 shokë, martirë, është kremtuar mesha solemne në kishën e shna Ndout në Tiranë në orën 18:00. Para meshës janë lexuar disa fragmente nga jeta e disa prej martirëve shqiptarë, të vrarë mizorisht gjatë diktaturës komuniste. Pastaj ka vazhduar procesioni deri tek figurat e fretërve françeskanë të rënë martirë. Në këto figura gjejmë martirët mons. Vinçenc Prennushi, fra Bernardin Palaj, fra Karl Serreqi, fra Mati Prendushi, fra Çiprian Nika, fra Serafin Koda, fra Gjon Shllaku dhe fra Gaspër Suma. Në qendër të tyre janë vendosur edhe reliket e disa prej këtyre martirëve.

 

Menjëherë u kënduan Litanitë e Shenjtërve e më pas u bë bekimi i këtyre figurave. Pas bekimit vazhdoi mesha si zakonisht. Ajo u udhëhoq nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj. Bashkëkremtuan fretërit e bashkësisë së kuvendit të shna Ndout dhe fra Marko Ešegović. Gjatë predikimit fra Aureli vuri theksin sidomos tek forca dhe feja e madhe që kanë pasur martirët, të cilët nuk e kanë shkelur idealin e tyre as nën persekutimet dhe vuajtjet më të mëdha.

 

Në fund të meshës famullitari dhe guardiani fra Prelë Gjurashaj falënderoi fretërit për praninë e tyre, piktorin, bamirësit dhe besimtarët që janë gjithmonë pranë Kishës në raste të tilla.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku