Çmimi “Át Zef Pllumi”

Më 10.02.2020 në qytetin e Lezhës është zhvilluar ceremonia e ndarjes së çmimit “Át Zef Pllumi” në memorialistikë, publiçistikë dhe monografi. Kjo ceremoni është zhvilluar në ambientetet e Qendrës Kulturore në Lezhë.

 

Dhënia e këtij çmimi është një vazhdimësi pasi ish Komuna e Shëngjinit në vitin 2011 ka organizuar ceremoninë e parë të dhënies së këtij çmimi letrar. Pas një shkëputjeje ca vjeçare ajo rikthehet përsëri, tanimë në qytetin e Lezhës. Bashkia e këtij qyteti ka vendosur që çdo vit në muajin dhjetor të jepet çmimi kombëtar “Át Zef Pllumi”, por duke qenë se dy muajt e fundit të vitit 2019 e kanë gjetur Shqipërinë në një gjendje të vështirë për shkak të tërmetit, atëherë kjo ceremoni është zhvilluar në muajin shkurt.

 

Ceremonia filloi në orën 11:00 në një nga sallat e Qendrës Kulturore. I pari ka filluar me përshëndetjen kryebashkiaku i Lezhës, z. Pierin Ndreu, i cili foli mbi këtë eveniment kaq të rëndësishëm që do të zhvillohet në këtë qytet, i cili është i lidhur ngushtë me figurat e Át Zef Pllumit dhe Át Gjergj Fishtës. Në paraqitjen e kësaj ceremonie, të fituesve të çmimit si dhe ecurisë së punës në zgjedhjen e fituesve folën disa pjesëtarë të jurisë, ku ndër ta: z. Alfred Lela etj. Vetë komisioni ishte i përbërë nga pesë anëtarë: z. Alfred Lela, znj. Jonila Godole, Át Vitor Demaj, z. Rudolf Marku dhe z. Dedë Maluta. Gjithashtu ligjëroi edhe z. Sabri Samiti mbi dy kolosët e mëdhenj Át Zef Pllumin dhe Át Gjergj Fishtën, dhe ish kryebashkiaku i Shëngjinit, z. Salvator Kaçaj.

 

Në konkurrim ishin 14 shkrimtarë, të cilët kishin sjellë veprat e tyre. Nga kjo listë tre prej tyre u shpallën fitues të këtij çmimi: “Ndikuesit”  nga prof. Belina Budini në publiçistikë, “Vila me tri porta” nga znj. Vera Bekteshi në memorialistikë dhe “Át Zef Pllumi” me autor shkrimtarin e censhëm prof. Sabri Hamitin në monografi. Prof. Sabri Hamiti ndër të tjera u shpreh se ndjehet shumë i gëzuar që është i pranishëm në Lezhë. “Át Zef Pllumin e kam njohur dhe e kam pasur mik”- përfundoi ndër të tjera prof. Hamiti. Vepra e prof. Sabriut është çelësi për të kuptuar dhe interpretuar veprën e Át Zef Pllumit. Kontributi i prof. Hamitit është i pazëvendësueshëm.

 

E veçanta e të gjitha veprave që morën pjesë qëndronte në shumëllojshmërinë e gjinisë letrare dhe llojin e shkrimit që kanë përdorur, ku ndër të tjera ishin edhe studime, ese, romane, etnotregime, romane autobiografike si dhe publiçistikë. Secili nga fituesit shprehën falënderimet e tyre mbi çmimin e dhënë dhe pjesëmarrjen në këtë eveniment.

 

Në sallë kishte shumë të pranishëm, gjë që dëshmon interesin e madh të njerëzve të ndryshëm, veçanërisht intelektualëve, për organizime të tilla me karakter letrar dhe kulturor.

 

Át Zef Pllumi përmes kujtimeve të tij na kallëzoi ferrin komunist, vuajtjet e klerit katolik dhe të popullit shqiptar. Vepra e tij monumentale është gur themeltar në historinë dhe letërsinë tonë. Vepra “Rrno vetëm për me tregue” vuri në vend drejtësinë  e mohuar përmes kujtesës dhe shkrimit. Kështu përmes Át Zef Pllumit lulëzoi rishtas kontributi dhe kultura e françeskanëve që u shqua përmes trinomit Fe, Atme e Kulturë. Kleri dhe françeskanët e udhëhoqën Shqipërinë drejt kulturës perëndimore.

 

Dhe ky çmim e ktheu përsëri Át Zef Pllumin në Lezhë.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku