Sot pasdite, më 17 dhjetor 2019, Shkëlqesia e Tij presidenti i Republikës Shqiptare z. Ilir Meta, vizitoi kishën e Shën Mhillit në Laç - Sebaste. Arsyeja e kësaj vizite ishte shikimi i pasojave të tërmetit të 26 nëntorit. Gjithashtu ai donte të na qëndronte pranë në këto momente të vështira.
U prit nga famullitari fra Ndue Toplana e nga zv. famullitari fra Sokol Pepushaj, të cilët e shoqëruan në kishë, në kuvend e në çadër ku banojnë disa familje që u janë prishur banesat. Të pranishëm ishin edhe disa banorë të çadrës para kishës, motrat e Dashurisë Hyjnore që shërbejnë në famulli e në mensë, vullnetarët, si edhe me konstatuesit zonal të gjendjes pas tërmetit etj.
Famullitari fra Ndoja i bëri të ditur kreut të shtetit që godina e kishës dhe kuvendi françeskan janë dëmtuar rënde. Famullitari e falënderoi Presidentin për interesimin e tij personal për kishën tonë. Presidenti i falënderoi të gjithë për gatishmërinë e tyre si dhe për ndihmën ndaj banorëve të prekur nga tërmeti.
Teksti dhe fotot: Fra Sokol Pepushaj