Me datë 22 shtator 2019, për herë të parë në kishën e shën Pjetrit e Palit në Bajzë, veshën zhgunin françeskan tre djem të rinj. Ata janë: fra Gjergj Deda, fra Lorenc Pepniku dhe fra Stavro Xhaçka.
Ata përpara se të mbërrinin këtë moment të rëndësishëm, kanë kryer vitin e parë të formimit i cili është “Postullandati” në kuvendin e fretërve në Bajzë. Tani ata do të fillojnë vitin e dytë të formimit i cili është “Noviciati” në kuvendin e Zojës Nunciatë në Lezhë.
U kremtua Mesha e shenjtë në kishën e shën Pjetrit e Palit në Bajzë në orën 11:00. Kremtuesi ishte provinciali fra Aurel Gjerkaj, bashkëkremtues ishin fra Valentin Rroku, guardian dhe famullitar i kishës së shën Pjetrit e Palit, fra Landi Jaku, mësues i Postullandatit dhe fretër të tjerë të Provincës sonë. Ishin edhe seminaristat dioqezan së bashku me zëvendës e rektorit e tyre dom Kristjan Marku.
Ky moment i rëndësishëm dhe i bukur për neve françeskanët, ishte i zbukuruar dhe i gjallëruar nga prania e shumtë e besimtarëve të famullisë.
Fra Sergjo Jaku