Mbrëmë, më datën 13 gusht 2019, në skenën verore në Bratilë, afër Tuzit, u mbajt “Takimi i mërgimtarëve - 2019”, i 16-ti me radhë e që tradicionalisht organizohet nga Misioni françeskan në Malësi. Fillimisht, fra Fran Dushaj i përshëndeti të pranishmit dhe u shpreh i kënaqur për vazhdimësinë e këtij organizimi duke theksuar që së paku, një natë të jemi së bashku me bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim, por që pushimet verore i kalojnë në vendlindje. Njëkohësisht, fra Fran paralajmëroi programin e përgatitur nga organizatorët dhe i falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar organizimin e këtij takimit.
Më pas, fra Pashko Gojçaj, duke mbajtur fjalën e rastit, foli për një jubile të rëndësishëm, 90-vjetorin nga themelimi i Famullisë së Tuzit. Ai duke rikujtuar themeluesin e kësaj famullie, p. Marjan Prela rikujtoi edhe shumë meshtar tjerë françeskan të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyer në trevën e Malësisë dhe kudo që kanë vepruar.
Në emër të Kishës katolike në Shqipëri dhe Mal të Zi, të pranishmit i përshëndeti fra Aurel Gjerkaj, i cili falënderoi misionarët françeskan dhe besimtarët në trevën e Malësisë në ruajtjen e traditës kombëtare dhe fetare në këto treva.
Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në fjalën e vet përshëndetëse, falënderoi Misionin françeskan në Malësi në organizimin e takimit, tashmë tradicional, të mërgimtarëve, sidomos në periudhën e kaluar në mungesën vetëqeverisjes së plotë lokale dhe të institucioneve të duhura në organizimin e eventeve të ngjashme. Gjeloshaj, po ashtu, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet fetare në territorin e komunës me qëllim të organizimit të projekteve që avancojnë bashkëpunimin me diasporën nga këto hapësira në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të dhënë në zhvillimin e përgjithshëm të Malësisë.
Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë së Tivarit, mons. Rrok Gjonlleshaj, falënderoi Misionin françeskan në Malësi, për organizimin e këtij takimit i cili u kushtohet bashkëvendësve tonë që jetojnë në mërgim. Ai i falënderoi ata për kontributin e dhënë në përmirësimin e kushteve të jetës në vendlindje duke e dëshmuar kështu dashurinë e madhe ndaj okës së të parëve. Të rikujtojmë se në këtë takim, ishin të pranishëm edhe arqipeshkvi në pension mons. Zef Gashi, sekretari shtetëror në Ministrinë e administratës publike Lindon Gjelaj, dom Anton Kçira, fra Mirash Marinaj, fra Viktor Demaj, motrat e nderit e tjerë.
Përveç korit të Kishës, në programin e kësaj mbrëmje, morën pjesë edhe grupi i fëmijëve parashkollor të lulishtes “Nëna Terezë”, si dhe këngëtari i mirënjohur nga Malësia Lekë Dedvukaj. Më pas, të pranishmit i argëtoi DJ, Nikollë Buqi Gjonaj.
Kristjan Dukaj