Sot, më 14.12.2019, kanë mbërritur në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë grupi rinor dhe animatorët e famullisë “Të ngjiturit e Krishtit në qiell” të Dajçit - Bregu i Bunës. Animatorët që kishin ardhur, janë pjesë aktive e famullisë në Dajç, ku japim mësimin e fesë dhe shërbejnë për nevojat e Kishës. Ata kanë ardhur këtu së bashku me famullitarin e kësaj famullie, dom Gjovalin Simonin. Ndërkaq, kishin zgjedhur kishën e Zojës Nunciatë për të bërë një tërheqje shpirtërore, për tu përgatitur sa më mirë për këtë kohë të shenjtë që do të kurorëzohet natën e Krishtlindjeve, me lindjen e Shëlbuesit.
Sapo mbërritën në kuvendin e Zojës Nunciatë të rinjtë u pritën nga fra Vitor Demaj. Fillimisht fra Vitori u bëri një shëtitje të shkurtër rreth kuvendit dhe kishës duke iu treguar historinë e kishës, kuvendit, si dhe martirizimin e të lumit fra Serafin Koda, eshtrat e të cilit ndodhen në këtë kishë. Ndërkohë, vizituan edhe bibliotekën e kuvendit ku patën mundësinë të njihen dhe të shikojnë nga afër vepra të çmueshme, ndër të cilat një Histori të Gjergj Kastriotit të vitit 1882.
Po ashtu, famullitari u tregoi edhe për jetën në kuvendin françeskan në Lezhë, ku jetojnë gjashtë fretër, tre fretër me kushte të përjetshme dhe tre novicë që dëshirojnë të bëhen fretër. Më pas filluan takimin e përbashkët, në orën 09:15, të cilin e mbajti fra Vitori. Ai foli mbi rëndësinë e kësaj kohe pritjeje dhe elementet që e karakterizojnë atë, ku një ndër to është rregullimi i shpellës së Betlehemit, të cilin duhet të mundohemi ta ndërtojmë jo vetëm si strukturë fizike, por edhe në brendësinë tonë. U theksua që kjo kohë duhet të karakterizohet nga lutja, rrëfimi dhe harmonia midis njëri-tjetrit.
Përveç takimit të përbashkët patën edhe disa momente të tjera meditimi dhe heshtjeje. Në fund në oborrin e kuvendin u organizua një koktej. Më pas u rikthyen në famullinë e tyre.
Për famullinë e Zojës Nunciatë ishte një moment gëzimi prania e animatorëve bashkë me famullitarin dom Gjovalin Simoni.