Një ndër festat më të dashura të muajit dhjetor është ajo e Shën Kollit (Shën Nikollës). Kjo festë është mjaft e përhapur, sidomos në popullin shqiptar. Ajo zakonisht mbledh të gjithë të njohurit dhe të afërmit së bashku për të kaluar disa momente të këndshme nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Por festa e Shën Kollit është mjaft e veçantë edhe për fëmijët. Shën Kolli i donte shumë fëmijët dhe i dhuronte atyre dhurata të ndryshme, sidomos fëmijëve që ishin sjellë mirë gjatë vitit. Prandaj shën Kolli njihet edhe si pajtori i fëmijëve.
Me datën 06.12.2019, ashtu si në shumë vende të tjera, edhe në famullinë e Zojës Nunciatë në Lezhë u festua festa e shën Kollit. Në mëngjes u kremtua mesha e shenjtë në orën 08:00. Ajo u udhëhoq nga famullitari fra Vitor Demaj, i cili foli mbi shën Kollin dhe devocionin e popullit tonë ndaj këtij shenjti. Bashkëkremtues ishte fra Marko Ešegović.
Përveç meshës në mëngjes, pati edhe një festë për fëmijët në orën 16:00. Pasi u mblodhën të gjithë së bashku në kishë filluan me disa lojëra të vogla me fëmijët. Më pas, nën tingujt e këngës së shën Kollit, u prit fra Vitor Demaj, i cili ishte veshur si shën Kolli. Fra Vitori vijoi me një përshëndetje dhe një lutje të vogël, e cila u pasua nga shpërndarja e dhuratave për të gjithë fëmijët e pranishëm. Në ndarjen e dhuratave ndihmuan edhe grupi rinor i famullisë së Zojës Nunciatë së bashku me novicët. Pjesëmarrja e fëmijëve ishte shumë e madhe. Ata u rikthyen nëpër shtëpitë e tyre me një buzëqeshje në fytyrë.
Kjo festë ishte vërtet një moment shumë i bukur për ta, sidomos pas situatës së tërmetit në vendin tonë, e cila krijoi te fëmijët një ndjenjë frike dhe paniku. Prandaj është e rëndësishme të organizohen më shpesh aktivitete të tilla të cilat i bëjnë fëmijët të ndjehen më të sigurt dhe të bashkuar.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku