Shën Françesku në mes të shqiptarëve

Me datat 3 dhe 4 tetor janë festuar dy momente shumë të rëndësishme për të gjithë françeskanët që ndodhen nëpër botë. Bëhet fjalë për Vigjiljen e kalimit në amshim të Atit tonë shën Françeskut si dhe e Kremtja në nder të tij. Shën Françesku, ose siç njihet ndryshe – i Varfëri i Asizit, është themeluesi i tre Urdhrave françeskanë dhe pajtori i Italisë. Madje edhe Papa i tanishëm në pontifikatin e tij mban emrin e këtij shenjti kaq të mrekullueshëm. Edhe në kuvendet dhe kishat françeskane në mes të shqiptarëve u festuan këto dy ngjarje, në mënyra dhe forma të ndryshme.

 

 

3 tetor (Transitus)

 

Në kishën e shën Françeskut në Shkodër u zhvillua Mbrëmësorja solemne në orën 18:00. Ajo u udhëhoq nga Sh. T. Mons. Angelo Massafra, arqipeshkëv i Arqidioqezës Shkodër-Pult. Mons. Angelo para se të shugurohej ipeshkëv, ishte pjesë e françeskanëve në Shqipëri dhe ushtronte detyrën e mësuesit të novicëve në Lezhë. Prandaj ishte një kënaqësi e dyfishtë që ai ishte udhëheqësi i kësaj liturgjie kaq të veçantë. Gjatë Mbrëmësores nuk munguan as pjesët e ndryshme nga Fontet françeskane, si dhe himnet, këngët dhe psalmet bukur të kënduara nga fretërit, motrat dhe të gjithë pjesëmarrësit. I pranishëm ishte provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, si dhe shumë fretër nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Në fund u bë shpërndarja e bukëve, traditë e cila bëhet çdo vit. Pasi përfundoi Mbrëmësorja, të gjithë ishin të ftuar te kuvendi i Zojës Rruzare tek Arra e Madhe për të festuar së bashku. Këtë vit ka qenë pak ndryshe nga vitet e tjera, sepse ka munguar procesioni për tek motrat klarise. Kjo gjë ka ardhur si rezultat i motit të paqëndrueshëm, por pavarësisht këtij fakti të gjithë kaluan një kohë të bukur së bashku.

 

Në famullinë e Bajzës, në orën 16:00, u realizua një program i veçantë në nder të kalimit në jetën e amshuar të Atit tonë shën Françeskut. Programi ishte i përbërë nga tre momente kryesore. Në fillim ishte Mesha e shenjtë, e cila u kremtua në kapelën e kuvendit te Shën Pjetrit dhe Palit në Bajzë. Më pas ishte Adhurimi i shenjtë, ndërsa në fund ishte Mbrëmësorja solemne, e udhëhequr nga mësuesi i postullantëve fra Landi Jaku. I pranishëm, përveç fretërve të bashkësisë, ishte edhe dom Charbel Bachour, misionar që shërben në Shkodër. Të shumtë në numër ishin terciarët e Bajzës, të cilët i përkasin Urdhrit të tretë françeskan, por edhe besimtarët e famullisë, si dhe motrat françeskane misionare të Jezusit Fëmijë. Pas këtij programi fretërit së bashku me terciarët patën një darkë të përbashkët në mjediset e kuvendit të Shën Pjetrit dhe Palit.

 

Në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, në orën 17:00, është zhvilluar Mbrëmësorja solemne e udhëhequr nga famullitari fra Vitor Demaj. Në këtë Mbrëmësore ishte prezent edhe Sh. T. Mons. Ottavio Vitale, ipeshkvi i dioqezës së Lezhës. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe fra Sokol Pepushaj dhe fra Fran Përlala nga Shenjtërorja e Laçit, motrat françeskane të Zojës së Papërlyer dhe besimtarët e famullisë Zoja Nunciatë. Gjatë Mbrëmësores patëm mundësinë të dëgjojmë disa pjesë nga shkrimet e shën Françeskut. Menjëherë pas meshës të gjithë u mblodhëm në oborrin e kuvendit për të marrë pjesë në koktejin e organizuar nga fretërit e bashkësisë. Si rezultat i motit të paqëndrueshëm pjesëmarrja e njerëzve nuk ishte e madhe në numër, por të gjithë së bashku ia kaluam bukur në shoqërinë e njëri-tjetrit.

 

 

4 tetor

 

Më 04. 10. 2019 në kishën e Shën Françeskut në Shkodër u kremtua mesha në nder të pajtorit të kësaj kishe. Ky është një rast feste dhe gëzimi, i cili na mbledh të gjithë së bashku. Mesha e shenjtë u udhëhoq nga Nunci apostolik në Shqipëri, Sh. T. Imzot Charles John Brown,  i cili e filloi meshën duke falënderuar të gjithë françeskanët për kontributin e tyre në Shqipëri. Bashkëkremtues ishin ipeshkvi i Rrëshenit, mons. Gjergj Meta, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, si dhe shumë meshtarë të tjerë të kongregatave të ndryshme. Ungjilli u lexua nga diakoni dom Gentian Sema, ndërsa predikimi u bë nga ipeshkvi i Rrëshenit, mons. Gjergji. Mesha u përmbyll me falënderime të shumta të bëra nga fra Aurel Gjerkaj, të cilat ia drejtoi të gjithë atyre që janë angazhuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre, por edhe të gjithë atyre që kanë qenë të pranishëm. Menjëherë pas meshës në mjediset e kishës së Shën Françeskut u zhvillua një koncert i vogël muzikor. Në koncert patëm mundësinë të dëgjojmë disa këngë kishtare mjaft interesante, por edhe një përmbledhje të shkurtër të jetës së shën Françeskut. Koncerti u përmbyll me Këngën e Krijesave (Il Cantico), e cila u këndua nga guardiani i kuvendit të Shën Françeskut, fra Aleksandër Tanushi. Dhe në fund të gjithë u mblodhëm te kuvendi i fretërve, ku ishte organizuar një koktej.

 

Në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë u kremtua mesha e shenjtë në orën 08:00. Ajo u udhëhoq nga famullitari fra Vitor Demaj. Bashkëkremtues ishte edhe dom Emanuel Cutajar, famullitari i famullisë Shën Jozefi Punëtor. Ungjilli u lexua nga dom Emanueli ndërsa predikimin e pati fra Vitori, i cili foli mjaft bukur mbi përshpirtërinë françeskane dhe rëndësinë e të qenurit pjesë e françeskanëve.

 

Në famullinë e Bajzës, në orën 16:00 është kremtuar mesha e shenjtë nga famullitari i Bajzës, fra Valentin Rroku. Pas meshës kanë bërë Mbrëmësoren së bashku me popullin dhe menjëherë pas saj kanë parë filmin “Vëllau Diell dhe Motra Hënë”, i cili tregon ngjarjet që kanë ndodhur në jetën e shën Françeskut.

 

Në kishën e Shën Françeskut në Sukruq (Mal i Zi) u kremtua mesha e shenjtë në nder të pajtorit të kësaj kishe. Mesha ishte në orën 17:00 dhe u udhëhoq nga Sh. T. Mons. Zef Gashi, ipeshkëv në pension. Bashkëkremtues ishte edhe fra Fran Dushaj, i cili është përgjegjës për Qendrën Katolike Shpirtërore në Sukruq. Në këtë ditë fra Fran Dushaj feston edhe ditën e emrit.

 

Fra Lorenc Pepniku