“Rroftë Krishti Mbret” titullohet oratori muzikor i zhvilluar në kishën françeskane të Shën Françeskut në Gjuhadol në Shkodër. Ky orator muzikor mbi martirizimin e të Lumit Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 shokëve martirë, i paraprin festës së martirëve shqiptarë, të cilën do ta festojmë më 5 nëntor.
Hapja e oratorit muzikor është bërë nga fra Aleksandër Tanushi, guardiani dhe rektori i kishës.
Oratori, i kompozuar nga fra Luigi Aluisi, ishte i përbërë nga 6 akte dhe ishte shumë i pasur me pjesë biblike, këngë e himne të ndryshme. Në orator kanë marr pjesë kori dhe orkestra kishtare e Shqipërisë, të udhëhequra nga dirigjenti Harlen Nikolli. Në aktin e parë të titulluar “Jezusi i flet Kishës”, u trajtua dialogu midis Gjonit dhe Jezusit. Po ashtu edhe akti i dytë, në formën e një antiteze, trajtoi “Vajtimet e Kishës në Shqipëri”, ku kësaj radhe Kisha i flet Jezusit. Më pas aktet vijuese (III, IV dhe V) u tregua mbi luftën e djallit ndaj shenjtërve, duke mos harruar as torturat e martirëve tanë nga komunizmi. Më pas oratori mori një rritje duke kaluar nga “Forca dhe martirizimi i shenjtërve” në “Fitorja përfundimtare”, e cila i përkiste aktit të 6-të. Në përfundim u trajtuan fjalët e fundit të Jezusit drejtuar Kishës, të cilat u përmblodhën me titullin “Kisha në ecje”. Pjesa kulminante ishte ajo e himnit “Rroftë Krishti Mbret”, e cila u këndua jo vetëm nga pjesëmarrësit e oratorit, por edhe nga të gjithë të pranishmit.
Në këtë orator ishin të pranishme autoritetet e larta kishtare në Shqipëri ku ndër to mund të përmendim mons. Angelo Massafra, arqipeshkëv i Arqidioqezës Shkodër-Pult, mons. Ottavio Vitale, ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës, mons. Simon Kulli, ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, fra Aurel Gjerkaj, provincial i Provincës Françeskane Shqiptare, dom Vlash Palaj, famullitar i katedrales së Shën Shtjefnit, e shumë të tjerë. Përveç meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve, në numër të madh ishin edhe të rinjtë, të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë pikërisht për këtë orator muzikor. Ai që e hapi dhe e mbylli këtë orator ishte vetë kompozitori, fra Luigi Aluisi, i cili falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në procesin e gjatë të lumnimit të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 shokëve martirë, të cilëve ua kishte kushtuar këtë orator.
Mbyllja e këtij oratori muzikor u bë nga mons. Angelo Massafrës, i cili në fjalët e tij u shpreh se fitorja i përket vetëm Krishtit që na ka dhënë këta shembuj kaq të mrekullueshëm, të cilët dëshmojnë fenë e vërtetë.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku
Fotot: Nenshati - Shkodër