Ndihmat për të prekurit nga tërmeti

Famullia e “ Shën Mhillit” në qytetit e Laçit ka hapur sot, më 30 nëntor 2019, një çadër në ambientet e saj, për të zhvilluar aktivitete ditore për banorët e prekur nga tërmeti. Më shumë aktivitetet janë të fokusuara për fëmijët, të cilët janë traumatizuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Fëmijët përveç se kanë luajtur në ambientet e kësaj çadre, ata kanë ngrënë si vaktin e mëngjesit ashtu edhe të drekës në mensën e kishës. Por përveç fëmijëve në këtë çadër janë strehuar gjatë ditës edhe mosha e tretë të cilëve gjithashtu u është ofruar si mëngjesi edhe dreka.

 

Mensa e kishës e cila zakonisht është e hapur vetëm për fëmijët të cilët nuk kanë ku ta hanë vaktin e drekës, por në këto ditë fatkeqësie të ndodhur nga tërmeti, u ka ofruar ushqim të gjithë atyre banorëve që janë afruar pranë kësaj mense.

 

Por përveç çadrës së ngritur në ambientet e kishës dhe mensës, Famullia e “Shën Mhillit” në bashkëpunim me Qendrën Rinore Sebastia ka bërë edhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore për banorët e qytetit të Laçit të cilët kanë mbetur të pastrehë.

 

Çadra e ngritur në ambientet e kishës është mundësuar nga një biznes privat nga Kosova, ndërsa ndihmat ushqimore janë mundësuar nga Caritasi Dioqezan Shqiptar, Caritasi Shqiptar, nga Fondacioni “Fundjava Ndryshe”, por edhe nga të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës.

 

Teksti: Klevis Paloka

Fotot: Lulzim Dedgjonaj