Memorali polak

Më 29. 09. 2019 në kishën e Zojës Nunciatë, në Lezhë, u kremtua mesha në orën 11:00, e cila u karakterizua nga prania e shumë personaliteteve të fushës politike, fetare dhe shoqërore. Kjo meshë u udhëhoq nga ipeshkvi i Lezhës, Imzot Ottavio Vitale. Bashkëkremtues ishte Nunci apostolik në Shqipëri, Sh. T. Imzot Charles John Brown së bashku me kustodin e Kustodies Shqiptare në Shqipëri dhe Mal të Zi, fra Aurel Gjerkaj. Të pranishëm ishin edhe fretërit e kuvendit të Zojës Nunciatë, prefekti i qarkut Lezhë, Gjokë Jaku, si dhe Ambasadori i Republikës Polake në Shqipëri, z. Karol Bachura.

 

Në këtë meshë u përkujtua edhe historia e Wojciech Tylka Suleja (1870 - 1916). Ky njeri vinte nga Polonia dhe kishte një dashuri të zjarrtë për alpinizmin. Ai ka krijuar një grup shpëtimi, i cili i ka ardhur në ndihmë shumë njerëzve, të cilët jetonin në terrene të thyera. Ai është varrosur në Shqipëri, pikërisht në mjediset e kuvendit të Zojës Nunciatë në Lezhë. Z. Suleja kur ishte gjallë ka shprehur se populli i tij i preferuar, pas polakëve, ishte populli shqiptar. Prandaj në kuadër të këtij përkujtimi morën pjesë edhe përfaqësues të ndryshëm të Ambasadës Polake, si dhe stërmbesa e z. Suleja, Joanna Gronkowska.

 

Menjëherë pas meshës të gjithë shkuam tek memoriali, i vendosur në përkujtim të Wojciech Tylka Suleja, i cili ndodhet në mjediset e kuvendit të Zojës Nunciatë. Aty patëm mundësinë të dëgjojmë edhe një këngë popullore, të kënduar nga një grua malësore e veshur me kostum tradicional. Kënga ishte e luajtur nën tingujt e lahutës. Më pas shkuam në oborrin e kuvendit, ku ishte përgatitur një koktej i thjeshtë nga Ambasada Polake. Aty kaluam disa momente të bukura të gjithë së bashku .

 

Fra Lorenc Pepniku