Bashkësia dhe misioni, ndër brishtësi e shpresë

KSHEL (Këshilli i eprorëve të lartë) zonal i Dioqezës Shkodër-Pult, më datën 3-4 prill 2019, nga ora 16.00-19.00, organizoi dy pasdite formimi për eprorët/et dhe përgjegjësit e formimit të bashkësive rregulltare. Takimi, që u mbajt pranë Seminarit ndërdioqezan në Shkodër,  ishte i hapur për rregulltarët në Shqipëri, Kosovë e Mal i Zi. Në takim morën pjesë rreth 50 rregulltarë e rregulltare. Tema ishte: “Bashkësia dhe misioni, ndër brishtësi e shpresë”. Relatori ishte atë Paul Pace, SJ. Atë Paul është nga Malta, jeton dhe shërben si formues në Dublin.

 

Takimi u hap me përshëndetjen e presidenti zonal të KSHEL, Atë Aurel Gjerkaj, ofm. Në pasditen e parë pas një paraqitjeje të shkurtër të temës, u përpoqëm të lexojmë në mënyrë të shpejtë e të thjeshtë kontekstin e Kishës dhe të shoqërisë në të cilën jetojmë, duke emërtuar se cilat janë sfidat që po kalojmë dhe cilat janë brishtësitë; vijoi një koment i shkurtër i Lk 24, si dhe një kohë lutjeje personale.

 

Në pasditen e dytë u përqendruam kryesisht mbi metodën e shoshitjes shpirtërore, si ndihmë jo vetëm për të kuptuar e interpretuar realitetin në të cilin jetojmë, por kryesisht për të mbajtur vazhdimisht të hapur pyetjen se çfarë na kërkon Hyji në këtë kohë të historisë, qoftë në nivel personal, bashkësior, apo si Kishë në të cilën jemi duke shërbyer!

m. Lula Meçaj