Krishtlindja me fretërit e Gjuhadolit

Kuvendi françeskan i Gjuhadolit gjithmonë është konsideruar si qendra e Provincës Françeskane Shqiptare. Në këtë kuvend ndodhet bashkësia me numrin më të madh të fretërve në Provincë, pasi është edhe shtëpia e formimit për fretërit me kushte të përkohshme.

 

Po ashtu në këtë kuvend është edhe Kuria provinciale, por jo vetëm, sepse rreth këtij kuvendi ndodhet edhe Kuria e Urdhrit Françeskan Shekullar (OFS-së), shtëpia botuese “Botime françeskane”, arkivi i Provincës, biblioteka “At Gjergj Fishta”, “Shoqnia kulturore Illyricum”, Libraria françeskane si dhe mensa për të varfrit “Buka e Shna Ndout”. Prandaj ky kuvend edhe sot është qendër për Provincën Françeskane Shqiptare.

 

Viteve të fundit nga kjo bashkësi françeskane shërbehen edhe besimtarët në zonën Iballë e Berishë të rrethit të Pukës dhe zona Theth e Bregu i Lumit në Dukagjin, por janë edhe fretërit studentë, që çdo fundjavë shërbejnë nëpër famulli të ndryshme, si: Kastrat, Dukagjin, Tuz, Iballë e Shkodër.

 

Të martën më 24 dhjetor 2019 në Vigjiljen e Krishtlindjes, pas të gjitha atyre aktiviteteve dhe përgatitjeve për Krishtlindje në Gjuhadol, disa nga fretërit u shpërndanë nëpër misione: guardiani i kuvendit françeskan në Gjuhadol, fra Aleksandër Tanushi, shkoi në Iballë, pasi  ai është edhe famullitar në atë zonë. Ai ka kremtuar meshën në mesnatë, siç ishte bërë traditë në Iballë që mesha të kremtohet në atë kohë. Përveç meshës së natës ai kremtoi edhe meshën e ditës së Krishtlindjes. Edhe në Vigjilje edhe në ditën e Krishtlindjes fëmijët e famullisë shfaqën programin e Krishtlindjes para kremtimit të meshës.

 

Mesha e Vigjiljes së Krishtlindjes në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në Shkodër, u kremtua në orën 23:00. Atë e udhëhoqi fra Aurel Gjerkaj, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, kurse në ditën e Krishtlindjes shkoi për të kremtuar meshë në Breg të Lumit dhe në Theth, pasi që është edhe famullitari i kësaj zone. Ai gjithashtu qëndroi edhe për festën e Shën Gjonit ungjilltar, sepse e gjithë zona e Shalës në Dukagjin e feston këtë festë.

 

Ditën e Krishtlindjes u kremtuan dy meshë në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol. Meshën e parë në orën 08:30 e udhëhoqi fra Ilija Kovačević, zëvendës guardian dhe mësues i fretërve me kushte të përkohshme, kurse meshën në mbrëmje në orën 17:00 e udhëhoqi guardiani fra Aleksandër Tanushi.

 

Ditën e Krishtlindjes ishte edhe një moment tjetër festiv, pasi në kuadër të Kuries provinciale është edhe mensa e të varfërve “Buka e Shna Ndout”. Në ambientet e teatrit “Illyricum” ishte dreka e përbashkët për të gjithë ata të cilët vijnë në mensë. Ishin vullnetarët dhe miq të mensës ata që kishin përgatitur ushqimin e kësaj dite, e po ashtu në fund të drekës nga “Buka e Shna Ndout” u është shpërndarë secilit nga një pako ushqimore për festën e Krishtlindjes.

 

 Bashkësia e fretërve të Gjuhadolit

 

Ju uron të gjithëve

 

Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020!

 

Paqe e të mira!